Aktualitet Politikë

Debat në Kuvend për KLSH-në, përplasje Braçe-Bardhi!

Sot në ditën e parë të seancës dy-ditore plenare, e fundit për këtë sesion parlamentar pati debate kur kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi u shpreh se Kuvendi po shkel ligjin, se sipas tij, “hoqi nga lista raportimin e kreut të KLSH-së në seancë”.

Në mënyrë të pashpjegueshme, as sot e as nesër, ju nuk keni përfshirë raportimin e një institucioni kushtetues, KLSH-në. Madje ka ndodhur e duhet ta dënojmë një praktikë të tillë në Komisionin e Ekonomisë. KLSH-ja u vu përballë një situate të pandodhur, ku rasti specifik i një rekomandimi të lëshuar prej saj, u tentua të ballafaqohet një nëpunëse publike me KLSH-në.

Praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe është shkelje e hapur e pavarësisë së KLSH-së. E kuptoj që veprimtaria e KLSH-së mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në sallë. Komisioni i Ekonomisë duhet të mblidhet sot, të miratojë draftrezolutë e KLSH-ja të thirret nesër të raportojë!

Ju zonja kryetare keni shkelur çdo afat sepse është detyra juaj që kalendari të zbatohet nga komisionet. Mundësoni që sot të mblidhet Komisioni i Ekonomisë dhe nesër në rend dite, të përfshihet raportimi i KLSH-së.

Kryetari socialist i Komisionit të Ekonomisë, deputeti Eduart Shalsi:

Nuk përbëjnë habi as për mua dhe as për kolegët tanë, qëndrimet e hallakatura se nuk mund t’i thuash as grup. Shpresoj që Bardhi të jetë iluminuar mbi nënkomisionin që sapo miratuam e që paradoksalisht një anëtar dha dorëheqjen.

Shalsi iu referua miratimit sot në seancë të Komisionit për Mbikëqyrjen e KLSH-së me 90 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Drejtimi iu besia

Komisioni do të drejtohet nga demokratja Emilia Koliqi si kryetare dhe Eslenvera Zake si nënkryetare. Anëtarë pritet të jenë Alban Xhelili, Sorina Koti e Pranvera Resulaj. Ndërkaq, Edmond Spaho dha dorëheqjen.

Deputeti socialist, Erion Braçe vuri në dukje se kreu i KLSH-së ka raportuar disa herë në Komisionin e Ekonomisë dhe shtoi se anëtarët e PD-së nuk i kanë drejtuar ndonjë pyetje.

Në Komision nuk kanë bërë asnjë pyetje, sot stisin një seancë vetëm me pyetje. Kjo është e neveritshme, e një niveli ordiner.

Kaq mjaftoi që Bardhi të replikonte nga vendi e pa mikrofon. Me tone të larta e fyese iu drejtua Braçes duke e quajtur “palaço”.

Kur shkel Kushtetutën, palaço je!