Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong dhe partnerja e saj prej gati dy dekadash, Sophie Allouache, u martuan dje në një zonë me vreshta pranë Adelajdes në Australinë e Jugut. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryeministri i vendit, Anthony Albanese dhe disa ministra të qeverisë, pjesë e së cilës është edhe Wong, si një politikane veterane.
Shoqërueset e nuses ishin dy vajzat e çiftit, Alexandra 12 vjeçe dhe Hanna 8, nëna biologjike e së cilës është Sophie Allouache. Ceremonia u pasua në mbrëmje me një valle tradicionale, e konsideruar si një lloj homazhi për origjinën malajziano-kineze të shefes së diplomacisë Wong.
Ajo dhe Allouache, një nëpunëse publike, për herë të parë u takuan në vitin 2007. Më vonë, Wong u bë një nga promovueset më të forta të legalizimit të martesës mes njerëzve të së njëjtës gjini, çka u arrit në Australi në vitin 2017.
Pasi hyri në parlamentin federal në vitin 2002, Wong është ministrja më jetëgjatë e Australisë, pasi ka udhëhequr portofolin e Ndryshimeve Klimatike dhe Financave.
Politikania Michelle Rowland ishte mes atyre që uruan çiftin.
Ju të dy dukeni absolutisht të mrekullueshëm.
Por, Penny Wong, nuk ishte që në fillim luftëtare e vendosur për martesat mes personave të së njëjtës gjini. Vite më parë, zyrtarja preferoi të ndiqte linjën laburiste duke kundërshtuar publikisht martesa të tilla. Por, më vonë erdhi ndryshimi dhe ajo u bë një nga avokatet më të zëshme e më të zjarrta në këtë drejtim. Madje, gjatë një debati parlamentar në vitin 2017 për zgjerimin e martesës me çifte të të njëjtit seks, foli me përkushtim për partneren e saj Sophie dhe dy vajzat e tyre.