Rajoni

DASH: Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në Kosovë e rajon!

Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet  ndëretnike në Ballkanin Perëndimor që të krijojë “mungesë stabiliteti e të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”. “Eshtë e qartë se Rusia nuk mbështet të njëjtën të ardhme europiane për shtetet e rajonit që ata vetë kanë zgjedhur e që njerëzit e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

DASH-i theksoi se pikërisht për shkak të qëllimit të Rusisë, Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor që të forcohet bashkëpunimi rajonal e të avancohen reformat “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe do të sillnin paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve.

Në Kosovë, udhëheqësit politikë kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Serbia po përgatitet për një sulm apo provokim ndaj Kosovës. Por, sa herë që autoritetet kosovare flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, për të cilën thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës e të rajonit po ashtu.

Më herët gjatë javës, njohës të zhvillimeve në Ballkan, i thanë  REL-it se aleatja e Beogradit, Moska, po synon të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga lufta e saj në Ukrainë dhe fuqitë e mëdha duhet t’i dërgojnë mesazh të qartë Serbisë se nëse vepron në veri të Kosovës, NATO-ja do të reagojë.

Po ashtu, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, James O’Brien, veçoi veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, si dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnjë- Hercegovinës, si rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Në veri, tensionet janë rritur prej vitit të kaluar ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë kërcënuar me shkëputje. Zëdhënësi i DASH-it tha se Amerika vazhdon të jetë e shqetësuar se tensionet lokale mund të përshkallëzohen në tensione serioze politike në rajon.

Ne mbetemi të shqetësuar lidhur me rrezikun që tensionet lokale të shndërrohen në serioze politike që mund të godasin shtetet e rajonit, si për shembull në veri të Kosovës dhe duke pasur parasysh kërcënimet për shkëputje në Bosnjë-Hercegovinë. Ne po vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të minimizuar këto rreziqe./Radio Evropa e Lirë