Rajoni

DASH: Dialogu Kosovë-Serbi, e vetmja rrugë përpara!

Uashingtoni zyrtar përsërit qëndrimin se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në institucionet e Bashkimit Europian e se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç për Kosovën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha:

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës e Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve.

Gjatë një fjalimi në fund të javës së kaluar, Vuçiç kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve e të prokurorëve serbë në funksionet e tyre, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

Komunat në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, aktualisht, drejtohen nga shqiptarë, pasi banorët vendas i bojkotuan zgjedhjet. Kryetarët serbë, ashtu si dhe zyrtarë të tjerë të komunitetit në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Prishtinës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti nuk i komentoi kërkesat e Vuçiçit, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit tha se ato janë antikushtetuese.

Po ashtu, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre apo që rrezikojnë stabilitetin e sigurinë”.

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës i kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Fokusi i tij pritet që të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Bislimi e Petkoviç pritet që të kenë takime veç e veç me ndërmjetësin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, por nuk ka pritshmëri për një takim mes dy kryenegociatorëve.

Para bisedimeve në kryeqendrën europiane, ndërmjetësi i Unionit, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuar datën dhe axhendën e takimit të sotëm. Nga Prishtina, Lajçak bëri të ditur se Serbia tërhoqi letrën dërguar Bllokut, me rezerva lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.