Sport

Dardanët nisin përgatitjet, Muric e Sahiti optimistë për fitore

Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.  Në seancën e parë stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 15 futbollistë, ndërsa lojtarët që zhvilluan ndeshje me klubet e tyre të dielën, u përqendruan në rigjenerimin në palestër. Atmosfera pozitive në kampin dardan u përforcua edhe falë afrimeve të reja në skuadër, si Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani dhe Eliot Bujupi, por dhe me rikthimin e Emir Sahitit pas një periudhe të gjatë.

Stafi teknik kreu edhe analizën e ndeshjes së fundit kundër Norvegjisë, përpara një seance të parë stërvitore pa shumë ngarkesë.

Përpara gazetarëve dolën Arjanet Muric dhe Emir Sahiti.

Arijanet Muric: “Ne mezi presim t’i fitojmë ndeshjet. Sigurisht që do të jemi të emocionuar të luajmë ndeshjen kundër Rumanisë, dhe mendoj se duhet të marrim revansh tri herë ndaj tyre, kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mundur dhe për t’i bërë ata të ndihen se do të kenë një ditë të vështirë në Kosovë. Mezi presim t’i mundim, ndjehemi shumë të sigurt”.

Emir Sahiti: “E falënderoj trajnerin për ftesën. Jam shumë i gëzuar që jam pjesë e kombëtares. Rikthehem pas dy vitesh. Shpresoj të jap maksimumin në fushë dhe më të mirën time. Asgjë s’ka ndryshuar, përveç se kanë ardhur disa lojtarë të rinj dhe të gjithë më kanë pritur mirë. Rumania ka një ekip të mirë, por ne duhet të fokusohemi te ekipi ynë dhe besoj se do ta fitojmë ndeshjen. Dardanët janë lojtari ynë i 12-të dhe shpresoj të vijnë në numër sa më të madh.