Suksesi i Evan Peters në ‘Golden Globes 2023’ për portretizimin e tij të vrasësit serial Jeffrey Dahmer, siç pritej, ka ndezur disa polemika. Në veçanti, fitorja e prodhimit televiziv të Ryan Murphy, i cili u bë seriali i tretë më i ndjekur në gjuhën angleze ndonjëherë në Netflix, ka nxitur një debat të madh nga disa miq dhe të afërm të viktimave të Dahmer.
E para që ngriti zërin ishte zonja Shirley Hughes, nëna e Tony Hughes, një nga 17 djemtë e vrarë nga Jeffrey Dahmer midis viteve 1978 dhe 1991.
Gruaja sulmoi ‘Golden Globes’ dhe çmimin e fituar nga Peters, duke akuzuar ‘Academy’ se po u jep fame vrasësve pa asnjë arsye. Menjëherë pas kësaj, Hughes u intervistua nga portal amerikan TMZ, për të cilin ajo përsëriti kritikat e saj ndaj Netflix për rrëfimin e historisë së vrasësve serial, jo vetëm atij që vrau djalin e saj, duke u ofruar atyre një popullaritet që ata nuk duhet ta kishin.
“Ka shumë njerëz të sëmurë në botë që mund të marrin shembull nga sjellja e këtyre vrasësve të vënë në ekran, tha gruaja. Shfaqja e vras֝ësve në TV, në fakt, i bën ata magjepsës në sytë e spektatorëve dhe vetëm ushqejnë obsesionin e njerëzve të sëmurë, të cilët, kështu, fillojnë të aspirojnë famë”. Zonja argumentoi gjithashtu se çmimi i Evan Peters u jep edhe më shumë dhimbje familjeve të viktimave, sepse vetë aktori amerikan në fjalën e tij nuk përmendi viktimat e Dahmer-it, por vetëm komentoi se sa e vështirë ishte të interpretonte në atë serial.
I krijuar nga Ryan Murphy, seriali bazohet në historinë e vërtetë të njërit prej vrasësve serialë më famëkeq në SHBA, i cili i hante viktimat e tij. Ky serial debutoi në 21 shtator dhe u pa nga 196,2 milionë persona.