Amerika, ky vend i njohur për kryesisht tre gjëra: fast-food, pijet me gaz, dhe vrasësit serial. Mund të tingëlloj cinik kur them tre gjëra – se doemos ka më tepër – por mbase asnjë shtet në botë nuk i ka vrasësit e tij (të shumëfishtë), kaq të famshëm saqë fama t’u krahasohet vetëm me aktorët që i luajnë ata.
(Shënim i autorit: Ky material përmban imazhe të forta grafike të përshtatshme për moshat +18, e që mund të jenë ofenduese për lexuesin. Ju paralajmërojmë përpara se të vazhdoni të lexoni)
Jeffrey Lionel Dahmer, është njëri syresh. Ai qëndron lart, krah Ted Bundy, Vrasësit Zodiac apo David Berkowitz. I vetmi që mbase ja kalon për famën është Jack The Ripper (rrjepësi, mori këtë emër sepse i rripte lëkurën viktimave të tij – mund të keni parë filmin e Johnny Depp), por është në të njëjtin nivel me Andrew Cunanan. Për këtë të fundit showrunner-i i “Dahmer – Monster: The Jeffrey Dahmer Story” – Ryan Murphy (i famshëm për “Glee” dhe “Eat Pray Love”) ka bërë gjithashtu një serial në Netflix, të shumë përfolurin “The Assassination of Gianni Versace” – American Crime Story. Të dy, Dahmer e Cunanan, ishin homoseksualë, vinin nga familje me probleme, urrenin braktisjen, dhe do bënin çdo gjë për të ruajtur atë që mendonin se u përkiste.
Edhe pse fizionomia mund të jetë e njëjtë, Dahmer është një monstër ashtu si në titullin e serialit. Ai njihet ndryshe edhe si kanibali i Milwaukee-it ose Monstra e Milwaukee-it. Krimet e tij janë të vështira për t’u përtypur, me një natyrë ç’njerëzore. Jo më larg se pak ditë më parë “Dahmer – Monster: The Jeffrey Dahmer Story” u lajmërua të ishte seriali i dytë më i ndjekur i Netflix pas vetëm “Stranger Things” ndaj pyetja ta shohësh apo jo mbase është e pavend, sepse për ju që shëtisni nëpër galeritë e Netflix-it të paktën një herë në javë me siguri ua ka zënë syri, e nëse keni parë trailerin joshja për ta ndjekur serialin nuk është e pakët, përkundrazi. Aq më shumë kur aktualisht në platformat e streaming-ut kemi ose prequel-et e historive të Middle-earth-it, (LOTR i Amazon, ose HOD i HBO) ose rikthimin e “The Handmaids Tale” (për këtë do shkruaj në një moment të dytë).
I fiksuar me historitë e vrasësve serial – Ryan Murphy kërkon të provokojë serish me Dahmer. Seriali zgjat plot 10 seri, dhe ka aq shumë detaje – deri në përsëritje – saqë shikuesi nuk ka pse të shkojë në Wikipedia për të kërkuar gjëra rreth protagonistit famëkeq. Një nga gjërat e para që fillon vlerëson nga seriali janë aktorët. Nga Dahmeri – një Evan Peters briliant, tek Richard Jenkins apo Niecy Nash. Edhe pse kritika ka qënë thuajse e tëra kundër mënyrës se si Murphy ka sjellë historitë e vrasjes së Gianni Versace-s apo “The People v O.J. Simpson” para tij për shkak të (mbase) pritshmërive të larta, dhe edhe pse edhe kritikat për Dahmer në tërësi nuk janë ndër me entuziasmueset duhet thënë se ky, nëse nuk e keni bërë ende meriton pak nga koha juaj.
Arsyeja është e thjeshtë, historia në vetvete është e pabesueshme, edhe më e pabesueshme se seriali vetë – dhe brezi i ri që është i panjohur me historitë e vrasësve serialë të asaj kohë e gjen këtë copëz jete shumë tërheqëse; uroj për motivet e duhura. Jeffrey Lionel Dahmer, lindur në 21 Maj të 1960 kaloi fëmijërinë e tij në ujëra të turbullta nga dy prindër në konflikt të vazhdueshëm derisa u divorcuan kur ai ishte 18 vjeç. Sipas dëshmive të mikut të tij të fëmijërisë tek “Conversations with a Killer: The Jeffrey Dahmer Tapes” Jeff, ishte i magjepsur mbas anatomisë, ai në moshën 6 vjeçare koleksiononte kockat e kafshëve të ngordhura, dhe shkëlqente në orën e biologjisë. Një nga episodet që shtjellohet edhe në serial është ai kur mbas një diseksioni të një gici në klasë, ai e merr në shtëpi, i zhvesh mishin, dhe e ruan kafkën për vite të tëra, deri kur e zëvendëson me mbetjet e viktimave të tij njerëzore.
Përpos përpjekjeve të kryesisht të atit dhe njerkës për ta ‘sjellë në udhën e Zotit‘, ky ndodh të jetë një mision i pamundur. Me një ndjesi të vazhdueshme braktisje, e në rrethana të një seksualiteti të gjykuar (prirjet e Dahmer ishin homoseksuale, edhe pse disa ekspertë i kanë gjykuar ato si prirje nekrofile, një gjëndje psikologjike ku individi provon kënaqësi seksuale kur kryen raporte me kufoma. Familja e Dahmer ishte tejet besimatare, e në vitet ’60-’70 homosesksualiteti konsiderohej një devijancë djallëzore nga e cila besimi në zot dhe vajtja në kishë mund të të shëronte) e para herë kur Jeff dëshiron të dëmtojë dikë ishte në 1978 atëhere kur një vrapues afër shtëpisë së prindërve, bënte çdo ditë të njëjtën rrugë – i djersitur dhe gjysëm i zhveshur, diçka tejet eksituese për Dahmerin. Arsyeja pse nuk ja del të kapë prenë e tij të parë, është rastësia fatlume a vrapuesit, i cili papritmas nuk bën më të njëjtën rrugë. Mirëpo në të njëjtin vit ai arrin të joshë në shtëpinë e tij – Steven Hicks, 18 vjeçari i cili do të kthehej në viktimën e tij të parë në listën e gjatë të 17 viktimave në më shumë se dy dekada.
Jeffrey Dahmer nuk vriste, ai i masakronte viktimat e tij, i mutilonte, i hante organet, i shpërbënte në acid, i fotografonte për t’i ‘ruajtuar’, i ruante kafkat e tyre… është vërtet e pabesueshme të shikosh 10 seritë e “Dahmer – Monster” e të mos të trazohet stomaku. Seriali është përpjekur të shpjegojë pse-në dhe është gjykuar po aq që ka mbajtur anën e vrasësit më shumë se atë të viktimave.
Todd Spangler shkruan tek Variety se Murphy ribën gabimin e tij e të Hollywood-it në tërësi, për ta kthyer një histori e cila ka dërrmuar familje të tëra në një “Squid Game” për argëtimin e masave. Historia e Dahmer-it është një lloj holokausti në vetvete. Motivet e tij janë gjithashtu të trishta, ajo që ndodhi me organet ligjzbatuese janë edhe më.
Përpos faktit që të gjithë bien dakord, një zgjatje e panevojshme dhe përsëritje sfilitëse e një sërë ngjarjesh, emëruesi i përbashkët i atyre që kanë parë serialin, përfshirë mua, është episodi i gjashtë – epitomi i realizimit artistik të kësaj historie njerëzore. Ndryshimi 180 gradë i këndëvështrimit, ku e gjitha shihet nga sytë e njërit prej viktimave, modelit shurdhmemec Tony e po aq një Dahmer më njerëzor se në çdo moment tjetër, me një kulminacion shpërbëres emocionalisht e bëjnë këtë seri absolutisht fantastike nga mënyra si është shkruar, tek ajo si është xhiruar e aktruar. 35 vjeçari Even Peters (Jeffrey Dahmer) bën një punë fenomenale si famëkeqi kanibal, edhe pse me disa ngecje që me siguri vijnë prej përsëritjeve të vazhdueshme, ai arrin të mbajë tensionin nga skena në skenë me një forcë të paimagjinueshme.
“Dahmer – Monster: The Jeffrey Dahmer Story” është padyshim një must-watch, përtej çdo gjëje që bën gabim, arrin të të mbajë mbërthyer, të të emocionojë e plogështojë, e të të bëjë edhe më besim-plot në Karma. Sepse fundi i Dahmer është edhe fillimi i tij. Për ta kuptuar këtë duhet të shihni serialin.
Thjesht sigurohuni që të keni stomak të fortë!