Cubi Metkaj njihet nga të gjithë si një aktore shumëdimensionale dhe ekspresive, që zotëron skenën, na bën të qeshim në TV, por në teatër na ka bërë edhe për të qarë! E lindur në qytetin e Tepelenës, një shenjë kokëfortë Dashi, që në moshë të vogël është aktivizuar në skenë si këngëtare, aktore me skeçet e fëmijëve dhe prezantuese. Talenti për artin mesa duket e kishte të trashëguar nga i ati i saj, i cili e aktivizonte vazhdimisht nëpër festivale, ku edhe është vlerësuar në Festivalin e Fëmijëve, Shkodër, Festivali Folklorik Gjirokastër dhe Korçë. Kështu vendosi të kryejë studimet e larta në Universitetin e Arteve dhe menjëherë pas kësaj ka kryer disa workshop-e dhe specializime në Itali, në Astragali Teatro di Ricerca. Ka bërë disa bashkëpunime shfaqjesh në Teatrin Kombëtar, Korçë, Vlorë, Elbasan, ku madje me disa role në disa festivale teatrale brenda dhe jashtë vendit është vlerësuar si aktorja më e mirë në “Festivali i të rinjve” në Tiranë, Skena Up në Kosovë, Festivali Butrintit, FFEuropa në Leipzig, Gjermani, Festivali Teatror në Maqedoni, etj. Gjithashtu ka marrë pjesë në disa filma dhe seriale si “Radio-Radio”, “Lulebore”, “Kumarxhiu”, “Jo dhe aq të rinj”, etj. Gjatë këtyre viteve ka punuar paralelisht si: Regjisore-Aktore Dublim (cartoons & documentary) në “JessStudio” dhe “AA Company”, Radio Host në City Radio, zë zyrtar në DigitAlb. E prej vitesh është pjesë e televizionit në formatet e humorit “Apartamenti 2XL” dhe “Klanifornia”, tani është pjesë e trupës së “PORTOKALLI” në Top Channel. Pasionet e saj të tjera janë: kërcimi, fitnessi, kënga dhe kitara. Motoja e saj: “Rrëzohu duke qeshur dhe ngrihu pa të parë lotët askush!”