Në vjeshtën e kaluar kur punoja për ‘Dancing With The Stars’ në ‘Top Channel’, artistja Fifi kërkonte një performancë të frymëzuar nga ‘Cruella’ një film me Emma Stone dhe Emma Thompson bazuar në filmin e animuar të 1961 ‘101 Dalmatët’ e po ashtu atë të 1996 me qënie të gjalla me po të njëjtin titull, një film që nuk e kisha parë dhe e që e vendosa në listën e filmave për t’u parë mbasi pashë trailerin dhe disa skena që ishin hedhur në You Tube. Ndaj në një rrugë të gjatë me avion ku mund të zgjidhje mes një galerie fantastike filmash erdhi momenti për ta parë.
Nëse Glenn Close si Cruella de Vil ju ka pëlqyer në filmin e para 28 viteve, Emma Thompsonin do e dashuroni. Është një miksim mes Miranda Priestly-t tek ‘Djalli Vishet me Prada’ (2006) dhe çdo sfumature interesante që keni hasur tek çdo grua (e ligë) në jetën tuaj.
I vendosur në Londrën e viteve 1970, kjo parathënie e historisë së famshme me regji të Craig Gillespie (‘I,Tonya’) është sa një film i arrirë mode (si ‘Phantom Thread’ apo ‘Marie Antoniette’) po aq një dramë familjare me plot momente argëtuese dhe aktrim të jashtëzakonshëm nga Emma Stone. Stone interpreton Estella-n, një vajzë tejet karizmatike, që dallon nga fëmijët e tjerë që kur ishte disa muajshe, rritur nga një nënë e vetme, e cila ndahet nga jeta në rrethana të mistershme. Tashmë në Londër, Estelle fillon stazhin në shtëpinë e modës së Baroneshës, një Emma Thomson narcise e akullt. Lidhjet mes të dyjave do të nisin si vetëm kreative, por një lëmsh i madh (lidhjesh familjare dhe emocionale) do të fillojë të shpërbëhet përpara syve tanë.
Filmi ka referencat e veta që vetëm të rriturit [që ja thonë nga fusha e modës] mund t’i kuptojnë (Estelle është një farë Alexander McQueen, kur hyri tek Dior për ‘shkatërruar’ traditën e krijuar aty me dekada, vetëm për t’u bërë më popullor se vetë shtëpia e modës) dhe po ashtu është pak më i gjatë seç duhet për targetin e audiencës për të cilën është krijuar.
Të gjitha aspektet e tjera janë tepër të arrira që e bëjnë këtë këndvështrim të 101 Dalmatëve të sjellë në kohë, shumë të dashur. Emma Stone dhe Emma Thompson janë një dyshe fituese, dhe regjisori Gillespie di të përdorë mirë çdo hile të zanatit për të arritur atë që pak kolegë të tij kanë arritur në ri-punimet e klasikëve të Disney-t.