Qendra Shëndetësore Nr. 1 në Tiranë ofron shërbime për rreth 90 mijë banorë. Vetëm javën e shkuar në këtë qendër u kryen në total mbi 2100 vizita.
Diana Hysi, mjeke familje, e Qendra Shëndetësore Nr. 1 thotë: “Një nga problematikat e momentit dhe e sezonit janë virozat që në fakt më së shumti duhet të ishin gastrointestinale, por në fakt nuk ka kaq shumë të sëmurë me problematika të çrregullimeve gastrointestinale që janë të vjellat, diarreja, më tepër janë pacientët që më shumë ankohen për problematika dhe simptoma të sistemit të sipërm respirator, që janë dhimbje fyti, rrufë, kollë.
Ajo që ne vëmë re është një situatë Covidi, përpara dy javësh unë kam patur disa pacientë pozitivë. Simptoma bazë që unë kam vënë re ka qenë temperature mbi 38 gradë Celcius. Pacientët bënin 24 orë 48 orë me këtë temperaturë dhe pastaj temperatura binte dhe pasohej më problemet e virozës, dhimbje trupi, pak anoreksi, i lodhur pacienti, por në përgjithësi kanë kaluar mirë.
Më së shumti me covid paraqiten të rinj, tek të cilët vlen dhe nuk vlen problematika e të ndarit të virozës, është virozë stinore apo virozë që është Covid. Por tek pacientët në moshë të madhe dhe tek ata që kanë sëmundje kronike është e mira që ne të vazhdojmë të diferencojmë dhe të bëjmë teste për t’i vlerësuar më mirë dhe të mos kenë problematikat që shkakton Covidi”.
Ka pacientë që kishin ardhur nga jashtë, disa të tjerë kishin patur familjarë të tjerë apo fëmijë, por ka edhe raste kur Covidi është marrë nga kolegët e zyrës. Vapa e madhe e favorizon shpërndarjen e virusit.