Aktualitet Bota Politikë

COP29/ Kryeministri Rama takohet me Guterres në Samitin Botëror për Klimën!

Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë nga 200 shtete të botës janë mbledhur prej dy ditësh në Baku të Azerbajxhanit për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

I pranishëm në konferencën e Palëve, e njohur si ‘COP29’, është edhe kryeministri Edi Rama.

Takaimi në Baku pritet të zgjasë deri më 22 nëntor dhe është eventi më i madh që Azerbajxhani ka organizuar deri më sot.

Kryeministri është takuar me kreun e OKB, Antonio Guterres.

Në konferencën dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe vërshimet, pasi intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Një pritshmëri kryesore nga COP29 është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës. Nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër dhe reduktimin e metanit nga mbetjet organike.

Organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti ‘COP29’, do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trump. Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, Trump pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.