Një informator u tha autoriteteve amerikane se Irani po bën komplot për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, siç raporton CNN, duke cituar burime në dijeni për këtë çështje. Në përgjigje, Shërbimi Sekret i SHBA-ve e rriti sigurinë rreth Trump-it me agjentë shtesë kundër-sulm e kundër-snajper, dronë e qentë robotikë, siç njofton rrjeti televiziv.
Sipas të njëjtit burim, Thomas Matthew Crooks, i cili u përpoq ta vriste Trump-in më 13 korrik, nuk duket se ka pasur lidhje me komplotin iranian. Ish-zyrtarë të administratës Trump, përfshirë këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, John Bolton dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, thuhet se gjithashtu kanë marrë kërcënime nga Irani.
Kjo pasi Qasem Soleimani, ish-komandant i Forcave elitare Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit u vra në janar të vitit 2020 në një sulm të forcave amerikane, nën komandën e presidentit të atëhershëm, Trump. Irani u zotua se do të hakmerrej.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se raportet për komplotin iranian për vrasjen e Trump-it, janë “të pabazuara e keqdashëse”, si dhe shtoi se Trump është “një kriminel që duhet të ndiqet penalisht e të dënohet në gjykatë”.
Anthony Guglielmi, zëdhënës i Shërbimit Sekret të SHBA-ve, u shpreh se ai dhe agjencitë e tjera “vazhdimisht kanë marrë informacione të reja për kërcënime të mundshme” dhe se ata “kanë ndërmarrë veprime për t’i përshtatur burimet sipas nevojës”.
Ne nuk mund të komentojmë për ndonjë rrjedhë specifike të kërcënimeve, përveçse të themi se Shërbimi Sekret i merr seriozisht ato dhe përgjigjet në përputhje me rrethanat.
Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se zyrtarët amerikanë të sigurisë i kanë përcjellë me vite “kërcënimet e Iranit kundër ish-zyrtarëve të administratës Trump”.
Këto kërcënime kanë lindur nga dëshira e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e Soleimanit. Ne e konsiderojmë këtë si çështje të sigurisë kombëtare me prioritetin më të lartë.
Megjithatë, përsëriti se hetimet “nuk kanë identifikuar lidhje” midis Crooksit e “ndonjë bashkëpunëtori të huaj apo vendas”. Crooks qëlloi në drejtim të Trump-it, duke e plagosur në vesh teksa ai po fliste në një tubim në Batlër të Pensilvanisë, më 13 korrik.
Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi mbetet i paqartë. Pas sulmit u ngritën pikëpyetje se si oficerët e policisë dhe agjentët përgjegjës për tubimin, e lejuan Crooks-in të afrohej aq shumë.
Shërbimi Sekret pranoi se policia ishte brenda ndërtesës, ndërsa Crooks në çatinë e saj, duke shënjestruar Trump-in nga 130 metra largësi. CBS News bëri të ditur se tre snajperistë të policisë lokale ishin brenda ndërtesës dhe se e panë Crooks-in duke u ngjitur në çati.
Presidenti amerikan, Joe Biden, urdhëroi një rishikim të pavarur të mënyrës si personi i armatosur ka arritur deri aty. Shërbimi Sekret do të përballet edhe me hetime nga Kongresi.