John Hopfield, shkencëtar pranë Universitetit të Princeton dhe Geoffrey Hinton, nga Universiteti i Torontos kanë marrë Çmimin “Nobel” në fizikë për vitin 2024. Dy shkencëtarët kanë punuar gjatë për kompjuterat që “mësojnë” dhe kanë marrë vlerësimin e karrierës si pionerë të kërkimeve dhe vënies në zbatim të rrjetit nervor artificial, duke hedhur bazat e Inteligjencës artificiale moderne.
Fituesit e shpallur nga Akademia suedeze e shkenëcës në Stokholm do të përfitojnë të dy së bashku një total prej 810.000 eurosh. Komiteti i Nobelit nderon dy shkencëtarët me motivacionin “për zbulimin thelbësor dhe shpikjet që i mundësojnë kompjuterave të mësojnë përmes sistemit nervor artificial.
Një ditë më parë, Çmimi “Nobel” në Mjekësi iu dha amerikanëve Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e tyre të mikroRNA-së, një parim themelor që sistemon mënyrën se si rregullohet aktiviteti i gjeneve. Asambleja e Nobelit tha se zbulimi i tyre “ishte i një rëndësie themelore për mënyrën se si organizmat zhvillohen dhe funksionojnë”.