Çmimi i vajit të ullirit në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme këtë vit, duke arritur në nivele rekord. Në fabrikat e përpunimit nga Marikaj deri në Berat, çmimi i vajit të paambalazhuar varion nga 700 deri në 1,100 lekë për litër, duke u rritur me 38% krahasuar me vitin e kaluar, kur çmimi ishte nga 700 deri në 800 lekë për litër.
Përpunuesit parashikojnë se çmimi i vajit të ambalazhuar gjithashtu do të rritet, duke arritur deri në 15 euro për litër. Sipas tyre, rritja e çmimit është e lidhur me dy faktorë kryesorë: rritjen e kostove të prodhimit për shkak të dyfishimit të pagave për vjelësit e ullirit dhe ndikimin e motit ekstrem, që ka ulur rendimentin.
Silvana Subashi nga fabrika “Subashi” nënvizon se, megjithëse sasia e prodhimit të ullinjve është më e lartë se vitin e kaluar, rendimenti ka rënë për shkak të thatësirës. Ajo shpjegon se, duke përfshirë rritjen e pagave për vjelësit, kostoja e prodhimit të vajit të ullirit arrin deri në 940 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes shkon në 1,100 lekë për litër.
Kastrijot Çuadari, një nga grumbulluesit dhe përpunuesit kryesorë në Berat, konfirmon se, pavarësisht rritjes së prodhimit, rendimenti është në rënie për shkak të thatësirës së muajit gusht dhe lagështirës së lartë në shtator.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2022, rendimenti ishte më i lartë, me vaji i ullirit që shitej nën koston e prodhimit për 350 deri 400 lekë për litër. Në vitin 2023, rendimenti ra në 12,4 kg për rrënjë ulliri, duke u ulur me 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Rritja e çmimit këtë vit është rezultat i një rënie të konsiderueshme të prodhimit, me një ulje që varion nga 30 deri në 70% në krahasim me vitin e kaluar, duke reflektuar kështu sfidat me të cilat po përballet sektori i ullirit në Shqipëri.