Aktualitet

Çmimet mbeten të qëndrueshme në korrik, inflacioni qëndron në 2.1%!

Çmimet kanë shënuar rritje të ngadaltë edhe gjatë muajit korrik, teksa inflacioni mbetet në nivelet më të ulëta që prej qershorit 2021. Megjithatë, çmimet e ushqimeve, që zënë peshën më të madhe të shportës së ushqimeve të familjeve shqiptare, kanë vijuar rritjen. INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2024 është 2,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2 %.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2024, krahasuar me Qershor 2024 është -0,2 %. Edhe në qershor, inflacioni vjetor ishte në nivelin e 2.1%.

Që nga muaji shkurt niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivisht të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, pas rritjes së lartë që shënoi dy vitet e mëparshme për shkak të pasojave të pas pandemisë dhe rritjes së çmimeve në bursa nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në tetor 2022 inflacioni arriti nivelin më të lartë që nga 1998-a, me 8.3%.

INSTAT njoftoi se rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,68 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,43 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,26 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,12 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me 0,05 pikë përqindje dhe çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Komunikimi” me +0,01 pikë përqindje secili.

Sipas INSTAT, Krahasuar me muajin Korrik 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,5 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,2 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,9 % secili, “Shëndeti” me 1,5 %, “Transporti” me 0,3 % dhe “Komunikimi” me 0,2 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “peshk” patën një rritje me 5,4 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 3,4 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,8 %, “mish” me 2,6 %, etj.

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, pasi në mbledhjen e mëparshme ndryshoi për herë të parë kursin në tre vjet, duke e ulur normën me 0.25 pikë përqindje. Norma bazë është instrumenti kryesor që banka qendrore përdor për kontrollin e inflacionit.

Gjatë deklaratës për shtyp, guvernatori Gent Sejko tha:

Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022-2023.

Sipas Sejkos, rritja e pagave në sektorin privat gjeneron më shumë të ardhura për familjet shqiptare, por ajo vijon të ushtrojë presion mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e konsumit.

Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër./Monitor