Ditën e dielë u zhvilllua ceremonia e ndarjes së cmimeve “Grammy Awards 2022”. E organizuar edhe një herë këtë vit nga Trevor Noah, “Grammy 2022” hapi tapetin e kuq për një ceremoni të mbushur me yje, duke festuar kandidatët dhe interpretuesit si Olivia Rodrigo, Billie Eilish, Justin Bieber, Lil Nas X, Brandi Carlile, Silk Sonic, BTS e të tjerë. Jon Batiste kryesoi nominimet këtë vit me 11 nominime, ndërsa Bieber, Doja Cat dhe H.E.R. secili fitoi 8 dhe Billie Eilish dhe Olivia Rodrigo morën 7. Njihuni me listën e plotë të fituesve në këtë link.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Grammy” që u mbajt të dielën, ka shënuar rritje në shikueshmëri këtë vit. Ndarja e çmimeve prestigjioze që nderon artistët më të suksesshëm në industrinë e muzikës ka shënuar një rritje prej 1.4 % nga ceremonia pjesërisht virtuale e vitit të kaluar, e cila kishte rekordin më të ulët të natës më të madhe të muzikës, sipas “Variety”.
Me prezantues Travor Noah dhe e mbajtur në MGM Grand Arena në Las Vegas, ceremonia e 64-të vjetore e “Grammy” tërhoqi plot 8.9 milionë shikues gjithsej në platforma të shumta. Shfaqja e cila filloi nga Noah duke iu referuar shuplakës të shumëpërfolur të Will Smith ndaj Chris Rock në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars” fundjavën e kaluar, u transmetua drejtpërdrejtë në CBS dhe Paramount Plus.
Ceremonia e vitit të kaluar të “Grammy Awards” ishte kryesisht virtuale për shkak të pandemisë dhe arriti një shikueshmëri prej 8.8 milionë. Në ceremoninë e sivjetshme fituesi i madh ishte Jon Batiste, i cili u nominua për 11 çmime dhe mori gjithsej pesë trofe, përfshirë albumin e vitit për “We Are”. Silk Sonic, grupi që përbëhet nga Bruno Mars dhe Anderson Paak rrëmbyen katër çmime, ndërsa Olivia Rodrigo dhe Foo Fighters morën secili nga tre “Grammy”.
Rikujtojmë se, ceremonisë prestigjoze të çmimeve “Oscar” duket se i ka rënë shkëlqimi këto vitet e fundit. Edhe pse është cilësuar si gjigant i kinematografisë botërore, duket se njerëzit nuk kanë më interes për ta ndjekur, të paktën dekadën e fundit. Audienca e kësaj ceremonie madhështore ka rënë me 70% në dekadën e fundit.
Vlerësimet kanë rënë vazhdimisht me disa milionë çdo vit që nga viti 2014, përveç vitit 2019, kur pati një rritje modeste prej 3.1 milionë shikuesish. Vitin e kaluar, vlerësimet për shfaqjen ranë me më shumë se 50% nga një vit më parë. Sipas “The Hollywood Reporter”, këtë vit ceremonia tërhoqi vetëm 15.36 milionë shikues, më shumë sesa ceremonia e vitit të kaluar, por gjithsesi janë shumë poshtë viteve të mëparshme.