Threads, aplikacioni i ri që synon të rivalizojë Twitter, sipas të dhënave të reja, ka regjistruar më shumë se 100 milionë përdorues në më pak se pesë ditë. Kjo do të thotë se Threads, i cili ka dalë para disa disa ditësh nga Meta ka mposhtur një rekord të vendosur nga aplikacioni ChatGPT i Open AI.
Sigurisht që u kthye në një ‘trend’ kjo platformë dhe shumë figura dhe organizata të njohura i janë bashkuar Threads, duke përfshirë këtu Shakira, Jennifer Lopez, Stephen Curry, Pharrell Williams dhe Oprah Winfrey, të cilët kanë postuar në mënyrë të vazhdueshme dhe kanë qenë mjaft aktiv në platformë.
Kompani të tilla si Netflix, Spotify, Amazon dhe Coca-Cola kanë krijuar gjithashtu llogari zyrtare të Threads. Megjithatë, disa yje që numërojnë me miliona ndjekës në Instagram si Lionel Messi, Dwayne Johnson, Justin Bieber dhe Beyoncé ende nuk e kanë “përqafuar” platformën e re. Threads, përpjekja e Meta-s për të rivalizuar Twitter, ka fituar interes të konsiderueshëm që nga fillimi i saj.
Mark Zuckerberg, CEO i Meta, parashikon arritjen e një baze përdoruesish prej një miliardi, rreth gjysma e përdoruesve aktualë të Instagramit. Aplikacioni mund të shkarkohet lehtësisht nga Instagram, duke i lejuar përdoruesit të rikrijojnë llogaritë e tyre në Instagram dhe në Threads pa probleme. Llogaritë e verifikuara në Instagram verifikohen gjithashtu në Threads, duke siguruar një kalim të qetë në të dy rrjetet sociale.