Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Cilat janë vitaminat që i duhen meshkujve?

Një përqindje e konsiderueshme e djemve dhe burrave sot përballen me mungesën e vitaminave dhe mineraleve të rëndësishme. Kjo situatë, e lidhur kryesisht me një dietë të varfër në fruta dhe perime, ka rezultuar në statistika shqetësuese: rreth 77% e meshkujve nuk marrin mjaftueshëm magnez, vitaminë D dhe B12.

Vitamina D3 është thelbësore për prodhimin e testosteronit dhe mbështetje në shëndetin e kockave, trurit dhe ekuilibrin e humorit. Mungesa e saj rrit ndjeshëm rrezikun e atakut në zemër.

Vitamina B12, e domosdoshme për energjinë dhe shëndetin nervor, gjendet kryesisht në produktet shtazore, si mishi dhe peshku.

Vitamina A, C dhe E, të njohura për fuqinë e tyre antioksiduese, janë po ashtu të rëndësishme për mbrojtjen nga mutacionet qelizore dhe forcimin e imunitetit.

Vitamina K kontribuon në shëndetin e kockave dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa magnezi është thelbësor për funksionimin e duhur të muskujve dhe parandalimin e tensionit të lartë.

Acidet yndyrore Omega-3 ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe janë të rëndësishme për shëndetin e zemrës dhe trurit, duke u gjetur në peshq si salmoni dhe sardelet.

Për më tepër, një nivel i ulët i kaliumit rrit rrezikun e problemeve kardiovaskulare dhe dobëson metabolizmin. Kaliumi është i pranishëm në ushqime si avokado, fasulet dhe bananet.

Kjo situatë nënvizon rëndësinë e një diete të balancuar dhe pasur me lëndë ushqyese për shëndetin e përgjithshëm të meshkujve.