Aktualitet Bota

Cilat janë 7 shtetet që do të vendosin fatin e zgjedhjeve në SHBA?!

Në shumë shtete amerikane, rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, zor të përbëjë një surprizë, me bastionet partiake të përcaktuara tashmë.

Por janë shtatë shtete të pavendosura, ku asgjë nuk është përfundimtare, e që në fund, mund të kthehen në përcaktueset e fatit të kombit, duke vendosur se kush do të përfundojë në janar në Shtëpinë e Bardhë.

Arizona me 11 vota elektorale i dha Donald Trumpit fitoren në 2016-tën, por katër vjet më vonë ktheu pllakë e votoi për Joe Bidenin.

Statusi i saj prej fushëbeteje është një testament ndaj demografisë së saj në ndryshim thotë CNN, si edhe emigracionit, të kthyer në temën e nxehtë të këtij viti.

Xhorxhia me 16 vota elektorale është një tjetër shembull sesi shtetet e lëkundura mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Triumfi i Bidenit atje në 2020-tën shënoi të parën herë që kur një kandidat presidencial demokrat fitonte atje që prej Bill Clinton në 1992. Pjesëmarrja e lartë e komunitetit me ngjyrë ndikoi shumë në fitoren e Bidenit, dhe ky bllok mund të dëshmohet mjaft i rëndësishëm edhe këtë radhë.

Miçigani me 15 vota elektorale ka qenë më shumë demokrat në dekadat e fundit, megjithatë Trump fitoi atje në 2016-tën përballë Hillary Clintonit. Dhe të dhënat e fundit tregojnë se rëndësinë kyçe për zgjedhësit këtu sot e ka ekonomia.

Edhe pse ka vetëm 6 vota elektorale, numri më i ulët ky nga të gjithë shtetet e lëkundura, rëndësia e Nevadës nuk duhet minimizuar. Bideni fitoi vërtet atje në 2020, por në 2016-tën Clinton mezi arriti të dilte në krye.

Karolina e Veriut me 16 vota është shtet i lëkundur, por duket së më shumë anon nga republikanët, por asgjë nuk është krejtësisht e sigurt.

Wisconsin me 10 vota, konsiderohej pjesë e murit “të shteteve blu”, derisa Trumpi rrëmbeu atje fitoren në 2016-tën, duke bërë që ky shtet të ricimentonte statusin e fushëbetejës.

Pennsylvania me 19 vota elektorale ia privoi Trumpit fitoren në 2020-tën, dhe pse e kishte votuar 4 vjet përpara kësaj.

Fakti që votat e saj, më të shumtat nga të 7 shtetet e lëkundura, i kaluan në fund kandidatit demokrat, ndihmuan ndjeshëm në vulosjen e rrugës së Bidenit drejt presidencës.