Kur vjen puna te shpejtësia e internetit, ka disa të dhëna që flasin për shpejtësinë që ofrojnë 5G dhe Starlink. Starlink supozohet se ofron shpejtësi nga 50 deri në 250 Mbps, me ndonjëherë edhe më shumë, që mund të ndryshojë në varësi të ngarkesës së rrjetit dhe motit. Ndërsa rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi mesatare shkarkimi midis 50 Mbps dhe 1 Gbps, ose edhe më shumë në disa raste. Kështu, shpejtësia e 5G zakonisht është më e lartë se ajo e Starlink, por varet nga infrastruktura në zonë.
Në këtë drejtim, Starlink vlerësohet si më i përshtatshëm për zonat rurale ose ato ku nuk ka mbulim të mirë të 5G, duke qenë se përdor satelitë dhe nuk ka nevojë për “infrastrukturë tokësore”. Në anën tjetër, 5G është ideal për zonat urbane dhe suburbane ku ka mbulim të mirë të rrjetit. Si konkluzion, në zonat me mbulim të mirë, 5G mund të ofrojë internet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm sesa Starlink. Megjithatë, në zonat rurale ose ku mungon infrastruktura e 5G, Starlink vlerësohet si një alternativë më e mirë sesa opsionet e tjera.
Kur bëhet fjalë për shpejtësinë e internetit, Evropa ka disa nga lidhjet më të shpejta të internetit në botë. Në një renditje të publikuar nga Cable, dhjetëshja dominohet nga vendet evropiane. Me një shpejtësi prej 264.5 Mbps, ishulli Jersey ka internetin më të shpejtë në botë, i ndjekur nga Lihtenshtajni (246.8). Maja e renditjes globale përmban shumë mikro-shtete. Nëse i përjashtojmë ato, atëherë Islanda (229.4 Mbps), Franca (152.5 (Mbps) dhe Holanda (142.5 Mbps) kanë internetin më të shpejtë në Evropë. Në anën tjetër, Turqia (24.8 Mbps), Shqipëria (25.4 Mbps) dhe Kroacia (25.7 Mbps) kanë internetin më të ngadaltë në Evropë.
Një vloger i njohur në platformën e YouTube si Ryan’s Model Y ka futur në test shpejtësinë e rrjetit 5G si dhe atë rrjetit Starlink. Starlink është shërbim interneti satelitor në kuadër të kompanisë me mision hapësinor SpaceX në pronësi të miliarderit dhe sipërmarrësit Elon Musk. Në këtë rast, Youtuberi mati shpejtësinë e internetit 5G dhe rrjetit satelitor të Starlinkut, nëpërmjet një video të cilën e publikoi në platformë. Sipas tij, rrjeti 5G fitoi dukshëm këtë test duke e arritur shpejtësinë maksimale të internetit me 739.44 megabit për sekondë.