Cila është arsyeja? Princi William ka zgjedhur që thjesht t’a injorojë Harry-n!

Prej disa kohësh po qarkullojnë teori që thonë se Princi Harry mund të rikthehet në rolet publike pranë familjes mbretërore. Burime të brendshme thonë se ndikimin më të madh në gjithë këtë histori e ka i vëllai, Princi William. Ky i fundit thuhet se po ndjek një strategji: Injorimin e vazhdueshëm të të vëllait.

Gjatë episodit të fundit të show-t “Palace Confidential”, ekspertja mbretërore Rebecca English shpjegoi faktin se familja mbretërore “po luan blofin” në raport me Harry-n, sidomos pas zërave se ai ka kërkuar që të rregullojë raportet me familjen e tij dhe po kërkon që të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

Me pak fjalë, asgjë nga këto nuk është e vërtetë, për tepër që William sipas ekspertes, po i detyron të gjithë pjesëtarët e familjes që të heshtin dhe të mos bëjnë asnjë reagim që ka lidhje me Harry-n.

“Mos i dëgjoni këto histori, mos reagoni me bujë, thjesht lërini gjërat të kalojnë lehtë dhe gjithçka do të normalizohet me kalimin e kohës,” thotë Rebecca për porositë e William ndaj familjarëve dhe personave më të afërt pranë pallatit mbretëror.

Ndërkohë “The Mirror” shkruan se  vëllezërit “nuk flasin me njëri-tjetrin prej disa muajsh dhe aktualisht nuk kanë asnjë kontakt”. Edhe pse të dy morën pjesë në funeralin e xhaxhait të tyre, Lordit Fellowes, në Norfolk, ata nuk u panë të flisnin apo të ndërvepronin me njëri-tjetrin.

Burimet e afërta pranë Harry-t konfirmuan se ai nuk ka në plan të kthehet në pozicionin dhe rolet e tij të mëparshme si pjesë e familjes mbretërore, përkundrazi. Princi Harry duket i vendosur që ta përqendrojë të gjithë karrierën dhe suksesin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku po jeton me bashkëshorten Meghan Markle dhe dy fëmijët e tyre.

Arsyet e këtij vendimi nga ana e William në fakt vijnë pasi Harry vendosi që së bashku me familjen të shkëputeshin nga detyrat mbretërore. Ai nxori sekretet familjare në librin e tij “Spare” si dhe tregoi shumë detaje ekskluzive në dokumentarin “Harry & Meghan” në Netflix.