Këngëtarja e njohur dhe mjaft e pëlqyer nga publiku Billie Eilish ka zbuluar së fundmi në një intervistë me “The Los Angeles Times” se një këngë nga albumi i saj i fundit, “Happier Than Ever”, ka të bëjë me kolegen e saj njëkohësisht këngëtare dhe kantautore, Olivia Rodrigo. Eillish u shpreh se jo vetëm që e konsideron albumin e dytë të Rodrigos “Guts”, si të adhurueshëm, por se këngëtarja pjesërisht ishte frymëzim edhe për këngën “Goldwing”.
Artistja e hitit të njohur “Bad Guy” zbuloi gjithashtu se teksa vetëm 14 muaj i ndajnë ato në moshë me njëra-tjetrën, ajo ndjen një lloj “mbrojtjeje” ndaj Rodrigos për shkak të rrugëtimit të të tyre të ngjashëm drejt famës.
Unë mendoj se përvojat e të gjithëve janë kaq individuale. Askush nuk ka pasur jetën e askujt tjetër apo jo? Por unë ndjej një mbrojtje ndaj Olivias. Unë kam një këngë të quajtur “Goldwing” nga albumi im i fundit që ka të bëjë me të. Unë kurrë nuk ia kam thënë këtë askujt.
Më tej artistja e suksesshme ka treguar se kënga nuk ka të bëjë vetëm me të, por në fakt e ka pasur Rodrigon në mendje gjatë kohës që ajo po e shkruante. Kënga, me sa duket, shërben si një paralajmërim për Rodrigon dhe këdo tjetër që hyn në të njëjtën industri. Në këngë artistja shprehet mes vargjeve se:
Ata do t’ju tregojnë atë që dëshironi të dëgjoni, pastaj do të zhduken. Do t’ju kërkojnë si një suvenir, vetëm për t’ju shitur brenda një viti.
Këngëtarja e hitit “What Was I Made For” vazhdoi duke shtuar se ajo ndihet kështu për shumë nga vajzat e reja që has në industrinë e madhe të artit, duke përmendur veçanërisht Ariana Greenblatt e cila ishte gjithashtu pjesë e hitit të “Barbie”.