Sport

Cikalleshi: Të përsërisim shpirtin e garës dhe të kemi disiplinë taktike!

Edy Reja preferoi të kishte krah të tij në konferencën për shtyp para sfidës me Anglinë Sokol Cikalleshin, një nga sulmuesit më në formë të kuqezinjve. Kavajasi deklaroi se është kthyer edhe më i fortë pasi kaloi Covidin.

Me anglezët nuk ia kemi dalë të marrim qoftë një barazim. Nuk u kemi shënuar as në Angli

E dimë që kjo ndeshje do të jetë më e vështira e kohëve të fundit. Anglia dhe cilësia e saj dihen, nuk ka nevojë të flasim gjatë. Mendoj se do të zhvillojmë një ndeshje të mire. Nëse do të kthehem pas në kohë, mund të përmend ndeshjet me Portugalinë dhe Francën. Të përsërisim shpirtin e garës dhe të kemi disiplinë taktike.

Çfarë forme po kalon dhe a keni ndjesi se mund të shënoni?

Jam rikthyer më i fortë pas Covidit, e kam treguar me ekipin ku luaj. Ndihem shumë mirë dhe si sulmues do të bëj më të mirën, pse jo të gjej edhe golin. Do të kem përballë një nga mbrojtjet më të mira në botë. Kjo është më e bukura. Rëndësi ka të shënojë ekipi, dhe nëse shënoj, të arrijmë diçka të mirë.

Në ndeshjen e parë patët shumë pak mundësi. Mendon se përballë 95 mijë tifozëve mund të bëjmë diçka më shumë?

Do të jetë ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur. Është një takim nga më të vështirët, por prania e shumtë e tifozëve nuk do të ndikojë negativisht, mund të jetë një ogur i mirë, që ne të japim më të mirën në fushë.

Mund të jetë transferta shqiptare me më shumë shqiptare…

Në çdo vend ku kemi luajtur, tifozët tanë nuk kanë munguar. Jam i sigurt që do të jenë edhe në ndeshjet në vazhdim. Janë një shtysë për ne dhe të gjithë bashkë mund të arrijmë gjëra të bukura. Urojmë që në fund të ndeshjes të dalim të kënaqur nga rezultati ose nga shpirti i garës.

Ne e dimë se çfarë kualiteti kanë lojtarët e Anglisë. E dimë që Anglia erdhi në Shqipëri dhe e fitoi ndeshjen. Ky është futbolli nuk ndikon vetëm cilësia, duhet të japësh maksimumin në fushë dhe të tregosh shpirt gare. Kjo është ajo që dua nga vetja dhe nga Kombëtarja Shqiptare. Duhet të jemi taktikisht shumë të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë.