Celebrities Music Showbiz Top Albania Radio Special

“Çifti i përkryer”, një speciale për dy albumet e reja të dy prej krijuseve më të pëlqyer të muzikës italiane, Elisa dhe Jovanotti!

Italia, djepi i artit, të bukurës, shijes dhe gjithçkaje që përkufizon një epitet: “e bukur”. Kur të vjen në mendje Italia sigurisht një pjesë e mendjes të shkon tek pastat, rrugicat me diell ku fqinjët këndojnë dhe zhurmojnë mëhallen… Po ashtu të shkon tek lashtësia e Romës dhe çdo destinacioni historik, ama përpos këtyre, mendja fluturon te baleti, teatri, piktura, tek spektakli, filmi, tek “24.000 bacinno” e të madhit Celentano, tek Bocelli, Pausini, Ramazotti, Mina e shumë emra të tjerë që me shekuj i kanë falur Italisë epitetin “artistik”. Të prodhuarit muzikë evolon, por artistët italianë ruajnë me fanatizëm disa tradita si rrymat muzikore, vetë Sanremon, por gjithashtu publikimin e albumeve të mirëfillta muzikore në një treg virtual, ku magjia zgjat vetem 3 minuta nëpërmjet një shkarkimi. Në 2022 teknologjik, kur rrjeti i internetit është bërë si kafeina e mëngjesit, dy artistë si Jovanotti & Elisa, i qendrojnë besnikë pasaportës së këngëtarit, albumeve muzikore. Kolegë në fusha të ndryshme, rivalë në karrierë, por miq shumë të mirë në jetë, të dy artistët vendosin ta bashkojnë 2022 me duetin e tyre “Palla al centro” pjesë e albumit të 11-të të Elisa-s “Ritorno al Futuro”…

Nis kështu “udhëtimi” ynë në gjithë Gadishullin Apenin ku kolonë zanore do të jenë albumet më të fundit të Jovanotti-t & Elisa-s…

Unë jam një fans i saj dhe kur takohemi është gjithmonë me bukur se bukur…

Shkruan Jovanotti në rrjetet sociale dhe tregon për ri-takimin e tij me Elisa-n. Dy nga artistët më të dashur dhe më të ndjekur të muzikës italiane punojnë së bashku në një këngë që është pjesë e listës së këngëve të projektit të ri diskografik të Elisa Toffoli. Një miqësi e gjatë dhe vlerësimi i ndërsjellë është ajo që i bashkon dy këngëtarët. Jovanotti bashkpunon me Elisa-n në “Palla Al Centro” dhe tregon në rrjetet sociale fillimin dhe zhvillimin e një miqësie që ka rrënjë të largëta dhe të thella. Jovanotti thotë se është i lumtur dhe i nderuar që është përfshirë në punën e re të Elisa-s. Jovanotti përfundon me fjalët:

Elisa është një artiste e madhe. Dhe me këtë artiste të madhe po bashkëpunoj per “Palla Al Centro.” Me humor Jovanotti shprehet: “Kafshët e njohin njëra-tjetrën. Gjithçka me të (Elisa-n) është e egër… padyshim një forcë e natyrës”. “Ne jemi dallgët e një deti të madh”, thotë kënga e Elisa-s që këndojmë bashkë: Ashtu është, është një det i madh. Dëgjim të këndshëm!

Dhjetor 2021… Në mes COVID-it dhe frikës së pandemisë, modoratori Amadeus guxon duke premtuar një Sanremo si asnjëherë më parë dhe duke rikthyer emra të mëdhenj në skenën që i bëri të mëdhenj…ndër ta edhe Elisa, e cila kishte prekur magjinë e Sanremo-s për herë të fundit në 2019, por si e ftuar speciale. Përpos rikthimit të saj si konkuruese në skenën magjike, lajmi që rezultoi të ishte ende më i shumëpritur ishte pikërisht deklarata:

Albumi im i 11-të do të publikohet në Shkurt.

Albumi i ri nga Elisa do të vinte pas suksesit të “Diari Aperti”, një album i publikuar në fund të tetorit 2018 i certifikuar me një rekord të dyfishtë platinium. Kënga promovuese e albumit “Ritorno al Futuro” dhe njëkohësisht kënga që rrëmbeu çmimin e dytë të edicionit të 72-të të Sanremo u përzgjodh të ishte “O forse sei tu”…  Një udhëtim në kohë e cila përqas Elisa-n vajzë, triumfuese në 2001 me këngën “Luce” përballë Elisa-s grua, me një karrierë 25-vjeçare.  “O forse sei tu” mori një vlerësim të gjerë nga kritikët muzikorë në Itali pas publikimit. Gino Castaldo i La Repubblica vuri në dukje se:

Ajo që vjen drejtpërdrejt dhe me fuqishem nga kënga e Elisa është emocioni i vetë muzikës, një formë përkushtimi, respekti i thellë dhe i pathyeshëm.

Më pas, gazetari konstatoi se:

Muzika (e Elizas) na bën të fluturojmë lart, derisa të mos kemi më frikë nga (lartësia), sikur jeta të na mësonte të besojmë në të bukurën përmes muzikës.

“Il Messaggero” u mahnit nga vargjet e këngës, të cilat ata i përshkruan si:

Të thjeshta, por shumë të bukura dhe të përshtatshme me traditën e këngëve të pop-it italian.

Ata gjithashtu vërenë një ngjashmëri pozitive tek vargjet me këngën e Amedeo Minghi në vitin 1990 “Vattene amore”, duke krahasuar se të dyja këngët janë histori dashurie me plot premtime dhe imazhe optimiste. Andrea Conti i “Il Fatto Quotidiano” vlerëson përdorimin instrumental të pianos në këngë, duke theksuar se ajo është “një këngë intime, delikate, e fuqishme”. “O forse sei tu” fitoi çmimin “Giancarlo Bigazzi” për kompozimin më të mirë muzikor, gjithashtu hyri në listat italiane duke arritur në vendin e 4-të në javën e dytë te publikimit dhe ishte kënga më e transmetuar në Spotify në Itali që në ditën e parë të publikimit me plot 1 milion dëgjime që ditën e parë, duke e bërë Elisa-n këngëtaren italiane me të dëgjuar në Spotify.

I dyfishtë do të ishte këtë herë koncepti i albumit… dy disqe për të përfaqësuar dy shpirtrat plotësues të krijimeve të Elisa-s. Ajo e fillimeve, në anglisht dhe ajo e pikës së kthesës, në italisht. Ndonjëherë në muzikë, në modë, në art, në kinema… në shumë forma të të shprehurit kemi të bëjmë me kohën, hapësirën dhe me një lloj ndjenje të përbashkët me një valë emocionale që i përket të gjithëve. Në momentin që këto ndjesi ngacmojnë “artistin” si kjo e fundit, rezultati shpalos forma të ndryshme të krijimit… I tillë vjen dhe albumi “Ritorno al Futuro”. Ku nëpërmjet plot 27 këngëve rrëfehet pikërisht çdo ndjesi e Elisa-s në gjuhën italiane dhe atë angleze.

Si çdo artist që muza “i lind” në periudha të vështira, aty ku qënia njerëzore pa dhuntinë e artit, ndoshta dhe bllokohet, ashtu edhe Elisa pati muzën e saj pikërisht në momente të vështira, si këto dy vite pandemike.

Në këto dy vite i kam ëndërruar të gjitha këto këngë dhe sigurisht që jam kapur disa herë pas tyre. Kisha vizione që ne të gjithë së bashku, i këndonim, në koncerte që nuk mund t’i bënim. Doja të shkruaja këngë që mund të na shkundnin, të na zgjonin dhe të na ndihmonin të nxirrnim në pah çdo ndjesi të akumuluar. E patrembur, edhe pse ndonjëherë ndihesha e çmendur dhe budallaqe, vazhdova, duke imagjinuar gjithçka. Kam ëndërruar shumë, kam bërë ushtrime të imagjinatës, të projeksioneve që të shpëtojnë jetën, që të bëjnë të ndjesh emocione të forta. Kam bërë gjithçka kam mundur dhe për këtë jam e lumtur. Më duhej të bëja më shumë, shumë më tepër. Më duhej të justifikoja mungesën, duhej të ndërtoja terrene të reja, pista të reja ku të vrapoja. Vëzhgova veten, botën dhe pandeminë, isha e qetë, por kjo qetësi më bëri të meditoja dhe më pas të zgjidhja në një mënyrë më të thellë dhe më përfundimtare gjithçka që kam bashkuar në këtë album të dyfishtë. Unë doja shpërblimin shpirteror….Gjithmonë e dua. Nuk ka rëndësi nëse mund ta marr, më intereson se si ndihem ndërsa e kërkoj.

Sa i përket kritikës italiane ky album rezulton të jetë shumë ‘lart’ dhe me ndikim e nuanca shumë “të huaja” në krahasim me albumet e mëparshme. Në albumin  e 11-të, Elisa sjell në Europën e saj shumë doza amerikane, e njëkohësisht shumë Itali në Italinë e saj. Elisa shikon jashtë dhe fotografon atë që sheh përreth, duke shprehur reagimin e saj për të gjitha pengesat dhe mangësitë e dy viteve të fundit. Lajtmotivi i albumit është në fakt reagimi ndaj këtyre kohërave dhe situatës botërore që po përjetojmë. Nevoja për një ndryshim rrënjësor, gjithashtu dhe mbi të gjitha për mjedisin, ndihet kryesisht tek tekstet dhe fabula udhëheqëse e albumit. Në album dëgjuesi do të gjejë respekt për planetin, dashuri në forma të ndryshme, miqësi femërore, garën e pamëshirshme të shoqërisë kapitaliste revoltën sociale por mbi të gjitha vullnet për të jetuar. Aspekti i kolektivitetit dhe bashkëpunimit ishte edhe më i rëndësishëm dhe më qendror se në albumet e tjera. Italiania me një zë botëror, përpos producentëve të shumtë, kësaj here bashkëpunon me plot 6 artistë të tjerë në duete. Ky album është një mozaik tingujsh kulturash, historish, ku vula e Eliza-s vjen me zë të lartë dhe qartë dhe dëshira e saj për të eksperimentuar dhe për t’u përfshirë shkon e lirë, jashtë kornizës së komercialitetit.

Nëse albumi i Elisa-s është një gërshetim ndjesish globaliste dhe moderniste, miku i saj Jovanotti rikthehet në gjenezë, duke thërritur rrënjët dhe gjakun e tij mesdhetar, duke udhëtuar nga Jovanotti i “Lorenzo Sulla Luna” (albumi i vitit 2019) në Jovanottin mesdhetar (në albumin e 18-të të tij në 2022) titulluar “Mediterraneo”.

Mediterraneo” do të jetë deklarata e dashurisë së toskanit për një “vend të shenjtë” shprese dhe dhimbjeje. Këngët janë frymëzuar nga Mesdheu jo thjesht si një det, por një koncept, një shpresë, një dhimbje, një histori e madhe dhe mbi të gjitha 1 simbol shkëmbimesh, aventurash, udhëtimesh, tingujsh, dashurish, premtimesh. Lorenco Cherubini deklaroi:

I dua këto këngë, faleminderit. Për mua këto këngë janë bekim. Janë “falënderime të marra” dhe i dua aq shumë sa gëzimi i botimit të tyre është vetëm pas gëzimit që i kam shkruar dhe i kam parë të lindin e të rriten deri në momentin që sot i ndaj me të gjithë. Vitet e fundit, Mesdheu më është shfaqur si një vend i shenjtë, një rizbulim dhe një ftesë për të udhëtuar, pavarësisht se nuk kam lëvizur asnjë hap, siç u ka ndodhur shumë njerëzve kohët e fundit. Në Mesdhe, ku lindi gjithçka, rrugët e marinarëve dhe perëndive, u zhyta për të rilindur, u preka dhe u lartësova. Portet e tij janë këngë, brigjet e tij janë një ritëm që ndryshonte gjithmonë, agimet e tij janë agimet e mia, perëndimet e tij janë premtime për një të nesërme më të mirë. Mbi të gjitha i lashë të rrjedhin këngët që lindën dhe përpiqesha t’i “drejtoja” sa më pak, që të më thoshin atë që kisha nevojë, pa dhënë shumë udhezime, instinkt i pastër. Udhëtari i vërtetë nuk heq dorë nga udhëtimi, gjithçka bëhet një udhëtim.

Kështu pra e përshkruan me pak fjalë ky artist Mesdheu, Mesdheun e tij muzikor.

Unë e kuptoj se ky projekt nuk është në përputhje me standardet e kërkuara sot nga “tregu” i muzikës në ndryshim dhe ndryshim, i përbërë mbi të gjitha nga këngët “single” që kombinojnë pamjet e transmetimit dhe pasazhet e radios, në një shpejtësi shumë të shpejtë konsumi. Me këtë projekt dua vetëm të shikoj përpara, të ndërtoj të ardhmen time e te këngës në të njëjtën kohë. Mos më keqkuptoni, unë i dua “singlet” dhe jam rritur me idenë që në muzikën pop janë mbi të gjitha këngët “single” që lënë pistën më të rëndësishme dhe formojnë repertorin e një artisti. Thënë kjo, është e rëndësishme për mua të ndjek instinktin e momentit dhe të kënaq energjitë që vijnë nga zemra. Në një moment, rreth një vit më parë, pas një periudhe shkëputjeje të detyruar nga muzika, u zgjova me dëshirën e papërmbajtshme për të bërë këngë, pa u konformuar me atë që dëgjoja përreth, pa menduar për “shfaqjen” dhe “pozicionimin”. Në një mënyrë mjaft të egër dhe instinktive shkruaja pjesë, pa pasur asnjë strategji në mendje, vetëm dëshirën për të ndarë këtë gjë që vlonte brenda meje. E di se sa ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së muzikës. I ashtuquajturi pragu i vëmendjes është shumë i ulët dhe kompanitë diskografike janë të përqendruara ekskluzivisht në biznesin e ri dixhital, të cilat funksionojnë veçanërisht kur përmbajnë një “tingull” të përshtatshëm për viralitetin dhe shkurtësinë e rrjeteve sociale”. Kjo është e mira për mua dhe nuk ankohem, plus që ofron perspektiva interesante për artistët dhe kompozitorët. Megjithatë, pas kaq shumë vitesh muzikë, jam shumë me fat që kam një audiencë me të cilën dialogu është intensiv dhe i thelluar, çdo gjë tjetër veç sipërfaqësore apo “hit and run”. Dhe ky lumë këngësh është për ta, në të vërtetë për ne, për këtë qytet të zhvendosur në hapësirë, rrugët e të cilit janë pjesët, tekstet, idetë, koncertet, shfaqjet, mbledhjet, rastet etj. Për verën e ardhshme, pra shumë shpejt, do të publikoj pjesë të tjera, një lloj koleksioni veror, ende ndryshe, dhe shpresoj se do të vlerësohet.

Sigurisht ky udhëtim filozofik dhe spiritual nuk kish si të mos gërshetohej edhe me ndjesi filmike për të përmbushur kështu buqetën “Mediterraneo”. Me 30 mars vjen klipi i këngës “I love you baby” me regji të Leandro Manuel Emede, një regjisor videoklipesh i cili ri-vjen në bashkëpunim me Jovanottin pas koncertit filmik të vitit 2013 “In Questa Notte Fantastica”. Në një intervistë për “Intoscana” regjisori u shpreh:

Ne imagjinuam një mjedis simbolik dhe një depo e madhe magazine ishte ajo çka kërkonim. Po mendoja hënën nga poema Hëna e Orlandos, atë sonetë të poemës së poetit të rilindjes Ludovico Ariosto që e adhuroj, kur Astolfo mbi kurrizin e Hipogrifit (një krijesë e ngjashme me Sfinksin) fluturon në hënë për të rimarrë ndjenjën hyjnore dhe atje lart gjen një botë, të cilën mund ta përgjithësojmë shumë. Pra, magazina ishte ky vend ku gjërat janë të paketuara, të heshtura, duke pritur të dërgohen dhe të bëhen të dikujt. Nga ana tjeter ky punëtor i magazinës (Jovanotti) që mbaroi orarin e punës, natën, i dashuruar marrëzisht, e transformon vendin me shikimin e tij në një teatër magjik mes errësirës dhe objekteve…Kjo është mënyra jonë për të thënë “I love you baby”.

Ky dy-vjeçar pandemik nuk mund të mos rezultohej dhe në krijimtarinë e artistit nga Toscana… Në mes shpërthimeve e ndjesive të ndryshme në albumin dedikuar Mesdheut do të ishte dhe kënga “Alla salute”. Momentalisht sa ne flasim krijimtarinë e dy artistëve italianë, Jovanotti ka përfunduar xhirimet e klipit të kësaj kënge, në Kalabri. “Alla Salute”, (në shqip: “Për shëndetin”). Një pjesë e shkruar pas një momenti të vështirë. Kantautori ka rrëfyer:

Është një pjesë që e shkrova ndërsa qielli po rihapej pas momenteve të vështira, si në nivel global, të lidhur me pandeminë, ashtu edhe në atë personal dhe professional.

Një festë fshati për vjeljen e rrushit, e cila simbolizon rinisjen e jetës, prodhimtarinë, shëndetin dhe gjakun e pastër e të shëndetshëm, nëse bëjmë një farë paralelizmi me verën. Në dorën e tij një tufë rrushi, nga të cilat ai hëngri disa kokrra të kuqe, duke parë nga dhoma e izoluar dhe duke kënduar “Alla salute”… “Për shëndetin”. Këto janë disa nga skenat që do të paraqiten në klipin e këngës dedikuar jetës dhe luftës me pandeminë.

I lumtur të promovoj imazhin turistik të një pjese të mrekullueshme të Italisë, si Kalabria. Nëse mund të jem disi një mjet për të promovuar imazhin turistik të një pjese të mrekullueshme të Italisë, kjo vetëm më bën të lumtur, e bëj me gjithë zemër për hir dhe kënaqësinë që ta bëj.

…Shtoi Jovanotti, i cili më pas saktësoi:

Unë nuk bëj reklamë në jetën time, unë jam një artist dhe arti përbëhet nga vende e mundësi të bukura. Më pëlqen Kalabria, kam vetëm përvoja të mrekullueshme të jetuara këtu. Ky vend është në fakt një minierë, e potencialit, e bukurisë.

Teksa dëgjonim albumin dhe shijonim çdo fllad, çdo tingull, çdo rrënjë Mesdheu, e teksa me këngët e tij fotografonim çdo kalldrëm Iitalian, na bëri përshtypje një këngë që ndryshe nga të tjerat vinte më tepër si bisedim muzikor, se sa si këndim… Po citojmë disa vargje nga teksti:

Bota është vendgrumbullimi, nuk jam unë ai që do ta zbuloj.

Padrejtësia triumfon përveç përjashtimeve të rralla.

Ata ju heqin entuziazmin që veten të argëtojnë.

Nëse përpiqeni të ngrini kokën, përfundoni në telashe.

Mediokritetet punojnë dhe nuk shqetësohen kurrë

Është e gjitha një bla-bla-bla që duket si një grumbull termitesh

Forca është dobësi, liria është një mbrojtje

Kushdo që është i kamufluar, i shmanget telasheve

Por në të gjitha këto, “AJO” mbetet gjithmonë e vlefshme

Një fakt i qëndrueshëm pa kohë…

Dashuria është më e madhja.

Dashuria është më e madhja ne këtë botë.

Është Everesti që horizontin pershkron…

Do donim t’a përmbyllnim këtë sagë me një shprehje të filozofit Platon:

Ritmi dhe harmonia janë ato që e gjejnë rrugën edhe në brazdat më të errëta të shpirtit.

Fakti që këta dy miq, artistë e njëkohësisht rivalë artistikë kanë ende shpirt për të ushqyer me muzikën e tyre, vërteton dhe njëherë se artisti nuk ka shterrim dhe gjithnjë do e gjejë mënyrën më origjinale për të shprehur brendinë e shpirtit. Mes “Ritorno al future” dhe “Mediterraneo” ndryshojnq shumë metodat e krijimit, stilet, vetë frymëzimet, pritshmëritë, tingujt, ama në fund të ditës të dy albumet kanë një emërues të përbashkët…artin që bëhet si nevojë e pastër shpirtërore, si nevojë për të festuar, rrëfyer, revoltuar, dashuruar, përjetuar ekzaltim, dehje, melankoli, e mbi te gjitha…për të treguar që edhe në periudhat më të errëta si humbja e identitetit, humbjet njerëzore, harresa, por dhe në shtigje dhe momente dyzimi, arti është kura për gjithçka…