Bota Botë e Çuditshme

Çifti i moshuar i jep fund jetës përmes eutanazisë!

Një çift i moshuar në Holandë vendosi t’i japë fund jetës përmes një vetëvrasje të asistuar nga mjekët, me anë të një injeksioni vdekjeprurës. Jan Faber 70 vjeç dhe Els van Leeningen 71 vjeçe u martuan para 50 vitesh. Jan punoi në një anije mallrash, si dhe luajti për ekipin kombëtar të të rinjve ndërsa, Elsi punonte si mësuese në një shkollë fillore. Çifti gëzonte një marrëdhënie të shkëlqyer dhe kishin përgjithësisht një jetë të qetë. Mirëpo vitet e fundit po përballeshin me probleme të shtuara shëndetësore.

Jan luftoi gjatë me dhimbjet e forta kronike të shpinës, edhe pas operacioneve që iu nënshtrua, duke e lënë atë madje të paaftë për të punuar. Ndërkohë, Els doli në pension në 2018 dhe filloi të shfaqte shenja të demencës, një sëmundje nga e cila kishte vdekur dhe babai i saj. Me shëndetin e të dyve në rënie, Jan diskutoi mundësinë e vetëvrasjes së asistuar, derisa dyshja më në fund zgjodhi t’i jepte fund jetës përmes eutanazisë.

Në momentet para vdekjes së tyre, çifti u rrethua nga miqtë dhe familjarët, përfshirë djalin e tyre, i cili e kishte pasur të vështirë të pranonte vendimin e prindërve të tij. Sipas tij, mjekët ndoqën procedurat dhe gjithçka përfundoi në vetëm pak minuta. Çiftit iu dha një injeksion vdekjeprurëse dhe vdiqën së bashku, më 3 qershor.

Holanda dhe Belgjika ishin vendet e para që praktikuan eutanazinë ose vdekjen vullnetare, të ndihmuar nga një mjek. Procedura u bë e ligjshme në Holandë dhe u miratua në prill të vitit 2001. Rikujtojmë se një 28-vjeçare, fizikisht e shëndetshme, vendosi t’i japë fund jetës së saj nëpërmjet eutanazisë për shkak të betejave të saj me depresionin, autizmin dhe çrregullimin e personalitetit kufitar.