Çifti i famshëm i Hollywood-it Ryan Reynolds dhe Blake Lively kanë vendosur t’i vijnë në ndihmë refugjatëve të Ukrainës që po zhvendosen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftës. Reynolds premtoi nëpërmjet një postimi në Twitter se do të dhuronte 1 milion dollarë teksa do t’i bashkohej donatorëve të tjerë, për t’iu gjendur pranë personave që po luftojnë për të mbijetuar.
Duke qenë se gjatë këtyre ditëve Ukraina po boshatiset dhe njerëzit nuk kanë një çati për t’u strehuar, veprat e bamirësisë janë ato që duhen më shumë këtë kohë. Reynolds u shpreh se:
Në 48 orë, ukrainas të panumërt u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre në vendet fqinje. Ata kanë nevojë për mbrojtje. Kur të dhuroni, ne do t’i dhurojmë deri në 1,000,000 dollarë, duke krijuar mbështetjen e dyfishtë.
Ndërkaq, Lively ndau një mesazh të ngjashëm në Instagram duke shkruar se:
@usaforunhcr po ofron ndihmë për të shpëtuar jetët dhe gjithashtu punon me vendet fqinje për të siguruar mbrojtje për këto familje.
Yjet u zotuan në ditën e katërt të pushtimit rus të Ukrainës. Luftimet vazhduan në të gjithë vendin të dielën pasi rezistenca e Ukrainës, më e ashpër se sa pritej, dukej se po pengonte sulmin rus. Shpërthimet dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në zonën përreth Kievit ndërsa trupat ruse u zhvendosën në qendër të Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës.
Ndërkaq, pritja është e lartë për takimin e sotëm mes delegacioneve ruse e ukrainase, në kërkim të zgjidhjes për t’i dhënë fund luftës. Mister për vendin e përzgjedhur nga Bjellorusia sa i përket zhvillimit të këtij takimi. Flitet për një lokacion pranë lumit Pripyat apo për pikën e kontrollit Aleksandrovka-Vilcha.