Së fundmi, David dhe Victoria Beckham kanë premtuar se do të dhurojnë 1 milion paund për të ofruar ndihmë për popullin e Ukrainës. David nisi një apel urgjent për UNICEF që të ndihmojnë dhe t’i mbështesin fëmijët e prekur në vendin që u shkatërrua nga lufta. Burime pranë çiftit zbuluan për ‘MailOnline’ se David dhe Victoria kanë dhuruar 1 milion paund nga paratë e tyre për nismën e bamirësisë. Ndërkaq, burimi u shpreh se:
David ka qenë ambasador i vullnetit të mirë për 17 vjet dhe mbledh miliona në vit për të mbështetur UNICEF-in dhe punën e tyre për fëmijët në mbarë botën. Kjo është përveç projekteve që ai financon nën ombrellën e Fondit të tij 7, i cili synon të mbështesë fëmijët në mbarë botën, veçanërisht vajzat që të kuptojnë potencialin e tyre.
Dhe jo vetëm çifti Beckham. Të shumtë kanë qenë përsonazhet e famshëm të botës së showbiz-it dhe jo vetëm që kanë dhuruar para për Ukrainën. Aktori i njohur hollivudian Leonardo DiCaprio së fundmi ka dhuruar dhjetë milionë dollarë për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Lajmi u bë i ditur nga Fondi Ndërkombëtar i Visegradit, një projekt që synon mbështetjen financiare për iniciativën ndërkombëtare.
Mila Kunis dhe Ashton Kutcher kanë dhuruar tre milionë dollarë për refugjatët ukrainas. Çifti i aktorëve kanë hapur një llogari për mbledhje fondesh në ‘GoFundMe’ me synimin e arritjes së shifrës të 30 milionë dollarëve për ndihma humanitare në kampet e refugjatëve. Çifti i famshëm i Hollywood-it Ryan Reynolds dhe Blake Lively premtuan nëpërmjet një postimi në Twitter se do të dhuronin 1 milion dollarë për t’iu gjendur pranë personave që po luftojnë për të mbijetuar.
Supermodelja e njohur Gigi Hadid ka dhuruar të ardhurat e saj në ‘Fashion Week’ për ata që janë prekur nga lufta në Ukrainë. 26-vjeçarja ndau një sërë fotosh në Instagram nga shfaqje të ndryshme dhe zbuloi se po jepte një kontribut të konsiderueshëm për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Armani Group nga ana tjetër njoftoi se po i bashkohet përpjekjes së luftës me një donacion prej 500 mijë euro për UNHCR-në, Agjencinë e OKB-së për Refugjatët, për ndihmën dhe mbrojtjen e atyre që janë detyruar të ikin nga lufta në Ukrainë.
Ndërkaq, sot është dita e 14-të e konfliktit ruso-ukrainas. Moska ka deklaruar një armëpushim të ri, që të lejojë vendosjen dhe shfrytëzimin e korridoreve humanitare. Përmes tyre bëhet evakuimi i civilëve nga zonat e luftës. Presidenti ukrainas Zelensky ritheksoi qëndrimin e tij drejtuar Kremlinit e botës: “Lufta duhet të përfundojë!” dhe kërkon të ulen në tryezën e bisedimeve.