Në nder të 75 vjetorit të Festivalit të Kanës që do të mbahet më 17 maj, organizatorët e eventit më të madh të filmit në botë kanë zgjedhur Chopard për të realizuar trofeun e jubileut të Festivalit. Chopard ka 25 vjet që ‘ushqen’ një marrëdhënie pasionante me këtë event ndaj edhe Palma e këtij edicioni realizuar nga brandi prestigjoz i bizhuterive do të jetë e jashtëzakonshme.
Drejtoresha artistike dhe bashkë-presidentja e brandit, Caroline Scheufele, vendosën të rikrijojnë Palmën e Artë duke mbushur dy nga gjethet e saj të vogla me diamante nga furnitorët e certifikuar nga Këshilli Përgjegjës i Bizhuterive. Njëra do të zbukurohet me 75 diamante që simbolizojnë jubileun e Festivalit ndërsa tjetra do të shfaqë 25 diamante për të përjetësuar çerekshekullin e partneritetit me Chopard, një festë e dyfishtë në bashkëpunim të përsosur.
Këtë edicion Palma prej ari të verdhë 18 karatësh të certifikuar nga Fairmined nuk do të vendoset në jastëkun tradicional të kristalit, por në një bazë të bërë nga kuarci rozë, një gur që simbolizon historinë e dashurisë së Chopard me kinemanë. Le Petit-Fils de L.-U. Chopard & Cie S.A., i njohur zakonisht si Chopard, është një prodhues dhe shitës zviceran i orëve luksoze, bizhuterive dhe aksesorëve.
E themeluar në vitin 1860 nga Louis-Ulysse Chopard në Sonvilier, Zvicër, Chopard ka qenë në pronësi të familjes Scheufele të Gjermanisë që nga viti 1963. Rikujtojmë, se Festivali i Filmit në Kanë së fundmi ka marrë një qëndrim për luftën në Ukrainë dhe do të ndalojë delegacionet ruse në edicionin e tij të 75-të këtë maj. Në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët thuhet se Festivali i Kanës dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj.