Bota

Chicago/ Protestuesit pro-palestinezë përleshen me policinë pranë konsullatës izraelite!

Një numër i madh demonstruesish pro-palestinezë u arrestuan të martën pas përleshjeve me policinë, gjatë një proteste që filloi jashtë konsullatës izraelite e përfundoi në rrugët e Chicago-s, ndërsa në qytet po mbahej dita e dytë e Kuvendit Kombëtar Demokrat. Përplasjet intensive me policinë nisën disa minuta pas fillimit të demonstratave. Disa protestues, shumë prej tyre të veshur me të zeza, e me fytyra të mbuluara, sulmuan një kordon policie që nuk po lejonte turmën që të marshonte.

Ata arritën t’i kalojnë policët, por disa herë gjatë natës forcat e sigurisë arritën t’i bllokojnë protestuesit. Dega e Chicago-s, e Shoqatë Kombëtare të Avokatëve, një organizatë e majtë, progresiste, njoftoi se të paktën 72 persona ishin arrestuar. Një pjesë e madhe e arrestimeve u kryen pak përpara mesnatës, ndërsa policia kishte rrethuar në një shesh demonstruesit që kishin mbetur, disa prej të cilëve thanë se po përpiqeshin të shkonin në shtëpi.

Kryeinspektori i policisë Larry Snelling hodhi poshtë akuzat se forcat e sigurisë i kishin ‘rrethuar’ protestuesit, sipas një taktike që përfshin grumbullimin e demonstruesve në një zonë të mbyllur, një praktikë kjo e ndaluar me vendim gjykate. Zoti Snelling, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha demonstratat e mëdha gjatë kuvendit, vlerësoi punën e policisë në mënyrën se si i ka trajtuar protestat, duke shtuar se përgjigjja e forcave të sigurisë ka qenë ajo që duhej.

Ka patur njerëz që dolën në protestë për të kryer akte dhune. Ata donin kaos.

I pyetur për të dhënë detaje mbi aktet e dhunës, ai tha se demonstruesit kishin marshuar drejt oficerëve të policisë dhe u përpoqën të çajnë kordonin policor. Ai nuk pranoi të jepte të dhëna mbi numrin e personave të arrestuar duke thënë se nuk kishte një shifër përfundimtare.

Më herët gjatë mbrëmjes, disa demonstrues i vunë flakën një flamuri amerikan në rrugë, rreth 3.2 kilometra larg vendit ku po mbahet Kuvendi Kombëtar Demokrat. Mbështetësit e Izraelit, mes tyre disa të afërm të personave të rrëmbyer nga Hamasi, u mblodhën më herët gjatë ditës në një instalacion arti pro-izraelit, jo shumë larg konsullatës, për t’u bërë thirrje udhëheqësve amerikanë që të vazhdojnë të mbështesin Izraelin dhe të bëjnë presion për lirimin e pengjeve.