Nga sot, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth-it kanë një mbret të ri. Ai është 73-vjeçari Charles III, djali i madh i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila u nda nga jeta më 8 shtator në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet, duke u kthyer në figurë shumë të dashur për britanikët, si dhe mjaft të vlerësuar e respektuar kudo në botë.
Shpallja mbret u bë në Pallatin St.James të kompleksit Buckingham Palace në Londër nga Këshilli i Aderimit, institucioni përgjegjës për certifikimin e kalimit nga një monark te tjetri dhe që mblidhet vetëm në këtë rast. Për herë të parë, ceremonia ku morën pjesë mbi 200 persona u transmetua live në televizion.
Charles III firmosi dy kopjet që konfirmojnë betimin, ndërsa njoftimi iu komunikua publikut nga ballkoni i St.James.
Më pas përshëndetja mbretërore dhe ekzekutimi i Himnit Kombëtar:
Në shenjë nderimi për monarkun e ri, pati edhe të shtëna me top në Hyde Park e në Kullën e Londrës:
Fjalët e para të Mbretit Charles III:
Në pranimin e kësaj përgjegjësie do të përpiqem të ndjek shembullin e nënës sime e do t’i shërbej mbretërisë në ruajtjen e të drejtave e Kushtetutës, në kërkim të paqes e prosperitetit. Jam thellësisht i inkurajuar nga mbështetja e vazhdueshme e gruas sime të dashur. Do të veproj duke ndjekur udhëzimet e Parlamentit. Nëna ime dha një shembull dashurie e shërbimi. Mbretërimi i nënës sime nuk ka të krahasuar për kohëzgjatjen e përkushtimin. Lutem për udhëheqjen e ndihmen e Zotit të gjithëpushtetshëm!
Flamujt e ulur në gjysmë-shtizë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II, u ringritën për shkak të mbledhjes së Këshillit të Aderimit e do të qëndrojnë kështu edhe sot, ndërsa nesër rikthehen në gjysmë-shtizë.
Në një prej vendimeve të para, Mbreti Charles III vendosi që në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar të jetë pushim dita kur Mbretëreshës Elizabeta II t’i jepet lamtumira e fundit.