Në vitin 2022 si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, Tirana sjell një tjetër institucion në varësi të bashkisë së saj për të integruar kulturën, artin dhe teknologjinë. Për të gjithë të rinjtë e kësaj gjenerate të cilët kanë prirje ndaj artit dhe ndaj së bukurës, për të rinjtë të cilët kanë dëshirën për të vazhduar përpara me qëllime dhe ambicie të qarta Agjencia e Industrisë Kreative është zgjedhja e duhur. Për të na dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë vetë drejtori i saj Jonid Jorgji është shprehur:
Nisi si një event i vogël me pak njerëz dhe me pak artistë që merren me Industrinë Kreative por përfunoi si një event shumë masiv ku iu bashkuan njerëz shumë të bukur dhe me një energji shumë të mirë. Besoj se kjo vjen për arsye sepse mungonte në përgjithësi një event i cili mbledh bashkë të gjithë Industrinë Kreative por edhe njerëzit e tjerë që mbas nuk janë pjesë e Industrisë por që kanë dëshirë dhe kanë mënyrën e tyre të jetesës që e shohin si pjesë të një diçkaje kreative.
Si e shikon qasjen e të gjithë publikut shqiptar sa i përket zhvillimit modern të kësaj epoke ku ne po jetojmë?
Unë i dua shumë të gjithë shqiptarët sepse më pëlqen dinamika, natyra që kanë që është mjaft energjike dhe deri diku paradoksale në shumë evente. Unë i shikoj si natyra që mund të krijojnë në çdo moment të mundshëm dhe janë si një kapital shumë i vyer i këtij vendi. Janë vetë shqiptarët si një minierë prodhimi kreativ në të gjitha aspektet.
Çfarë synon të arrijë më tepër Agjencia e Industrisë Kreative?
Janë disa synime që ne i kemi vendosur vetes si grup dhe si staf. Ne kemi konsoliduar një staf me njerëz profesionist dhe shumë të talentuar që do japin maksimumin. Po ngremë një strategji mbi të gjitha. Synimi im është që të bëj një punë sa më të mirë dhe me sa më shumë përgjegjësi. Një punë e cila do të japë kontributet dhe frytet e veta për të gjithë këtë Industri por edhe për të gjithë qytetin.