Pas dy ditësh, më 5 nëntor, Amerika voton dhe pret emrin e presidentes apo presidentit të ri që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë në 4 vitet e ardhshme. Kush do të fitojë mes demokrates Kamala Harris e republikanit Donald Trump. Ndërkaq, vota e 5 nëntorit u parapri nga votimi i hershëm. Çfarë ndodh me të?
Më shumë se 70 milion vetë kanë votuar tashmë në zgjedhjet e vitit 2024 ose më shumë se një e treta e numrit të përgjithshëm që votuan në vitin 2020. Dukshëm, përfshijnë më shumë republikanë krahasuar me katër vite më parë, kryesisht për shkak se Trump ka hequr dorë nga qëndrimi që mbështetësit e tij të votojnë fizikisht, vetëm në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor.
Dhe ndërsa votimi i hershëm ka përfunduar në shumë shtete, kandidatët do të përqëndrohen në të paktën tre shtete kyçe ku procesi nuk ka përfunduar ende. Mes tyre Miçigani, ku votimi i hershëm vazhdon deri nesër. Votuesit në Uiskonsin mund të votojnë deri sot. Dhe në Karolinën e Veriut, votuesit kishin kohë deri dje në orën 15:00 për të hedhur votat në qendra votimi. Votimet e hershme, zyrtarisht përfunduan të premten në Arizona, Xhorxhia, Nevada e Pensilvani.
A do të intensifikohen fushatat e dezinformimit?
Aleatët e Trump-it duket se po intensifikojnë pretendimet e pabaza për manipulime dhe disa po përforcohen nga vetë ai, i cili ka shpenzuar muaj duke “mbjellë” dyshime në integritetin e zgjedhjeve në rast se i humbet, ashtu siç bëri katër vite më parë. Akuzat e tij të pabaza po bëhen më specifike, në disa raste, teksa pretendimet fillojnë të shfaqen në rrjetet sociale.
Ndër të tjera, u shpreh se në Lancaster County, të Pensilvanisë ishin “kapur 2600 fletëvotime të rreme e formularë, të gjitha të shkruara nga i njëjti person”. Këtë e quajti një “gjë vërtet të rëndë”. Por hetimet ofrojnë dëshmi se sistemi po funksionon ashtu siç duhet.
Kandidati republikan ka ngritur edhe pretendime të pabaza në lidhje me fletëvotimet që vijnë nga jashtë shtetit apo se persona që nuk janë shtetas po votojnë. Pa prova, sugjeroi se Harris mund të kishte qasje në një lloj informacioni të brendshëm sekret të lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Pritet që të tilla pretendime të rriten ditët në vijim, veçanërisht në rrjetet sociale.