Në ditë si këto as që mundemi ta imagjinojmë veten pa telefona nëpër duar. Smartphone-ët janë shumë më tepër sesa pajisje komunikimi. Çdo detaj i tyre reflekton interesat dhe personalitetin tonë. Telefoni sot është një dritare që na lidh me botën, për të mos përmendur opsionet e mundshme të sigurisë që na jep në raste rreziku.
Nëse nuk e dinit, nomophobia përshkruan frikën e të qënit pa një telefon në dorë dhe lidhet ngushtë me përdorimin e tepërt të tij. Kontrrolli i shpeshtë i telefonit, fiksimi për të shkruar mesazhe apo për të parë çfarë bëhet në rrjetet tuaja sociale jo rrallëherë shkakton ankth dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
Përdorimi i tepërt i telefonit rezulton në nivele më të larta stresi, ulje të nivelit të kënaqësisë që marrim nga jeta, rritje të ankthit dhe cilësi të keqe gjumi. Edhe nëse orët e gjumit i keni bërë të plota, ndodh që në mëngjes të zgjoheni të lodhur pikërisht si pasojë e përdorimit në masë të smartphone-it. E keni menduar ndonjëherë ç’mund të ndodhë nëse e fikni për një orë të plotë celularin para se të bini për të fjetur?
Pas një eksperimenti të tillë të kryer së fundmi, u vu re se ata që e fikën telefonin para se të shtriheshin për të fjetur patën ndryshime të dukshme krahasuar me të tjerët. Cilësia e stilit të jetës u përmirësua dhe pas javës së parë, thanë se ndiheshin më të lumtur. Përse? Duke qenë se varësia për ta patur gjithnjë para syve telefonin filloi të binte, këta njerëz nisën të kishin më shumë në kontrroll jetën e tyre. Si rezultat ata nisën të bënin një zgjedhje, një zgjedhje për ta jetuar ndryshe përditshmërinë e tyre.
Të gjitha ndryshimet që u vunë re pas fikjes së telefonit për të paktën 1 orë, ishin pozitive. Njerëzit e përfshirë në eksperiment nisën të flinin gjumë më shpejt se zakonisht, ishin më prezent në botën reale dhe më të kthjellët në bisedat që ndodhnin rreth tyre. Pra, filluan të jetonin me mjedisin dhe natyrën rreth vetes. Niveli i ankthit nisi të reduktohej dhe krejt papritur kuptuan se kishin më shumë kohë për veten, që do të thotë se nisën të bënin gjëra që nuk i bënin më parë.
Një pjesë e mirë e tyre thanë se kishin kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për ditën tjetër, zgjoheshin herët në mëngjes dhe ndiheshin më produktivë. Një pjesë tjetër, vunë re ndryshime edhe në marrëdhëniet e tyre personale, aq sa filluan të inkurajonin partnerët për të fikur gjithashtu telefonat, edhe pse nuk ishin pjesë e eksperimentit. Si rezultat bisedat që bënin mes tyre ishin më të thella, vëmendja më e madhe dhe intimiteti më i plotë.
Kaq, mjafton për të kuptuar se fikja për të paktën një orë e asaj pajisjeje që na merr kaq kohë, mund të ndryshojë ndjeshëm jetën tonë. Rrjetet sociale kanë ndikuar aq për mirë sa edhe për keq në jetët tona. Nga njëra anë, na kanë afruar me njëri-tjetrin duke shkatërruar çfarëdo lloj barriere gjeografike, por nga ana tjetër na kanë bërë mjaft të fiksuar me përdorimin e tyre. Zbuloni tri hapat për të marrë distancën që ju nevojitet nga rrjetet sociale.