Aktualitet

Çfarë ndodh me profesionistët e lirë që e kanë paguar tashmë tatimin?

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për të rrëzuar ligjin i cili detyronte profesionet e lira të tatoheshin 15%. Sipas vendimit të Kushtetueses nuk është respektuar parimi i proporcionalitetit dhe i sigurisë juridike.

Por çfarë ndodh me profesionistët e lirë që e kanë paguar tashmë tatimin?

Ekspertë kontabël dhe juristë të kontaktuar nga Top News bëjnë me dije se si rregull vendimet e GJK kanë vlerë vetëm për të ardhmen, megjithatë duhet pritur vendimi i arsyetuar.

Nëse do të vendoset të rikthehet shuma e paguar, duhet te përfshihet në deklaratën përfundimtare në mars të vitit të ardhshëm ku të kërkohet kreditim.

Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat shkaktoi reagime dhe mosdakordësi nga ana e profesionistëve të lirë për mënyrën si janë llogaritur këstet, duke mos u zbritur shpenzimet e parashikuara, dhe kjo ka sjellë edhe një lumë ankesash drejtuar administratës tatimore.

Prej disa muajsh profesionistët e lirë po kundërshtojnë regjimin e ri tatimor që rëndon mbi ta i cili llogaritet nga 15-23 për qind, me argumentin se është një taksim i padrejtë në raport me bizneset e vogla, i lartë dhe i papërballueshëm për të vetëpunësuarit.

Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore”, lexoi vendimin Zaçaj.
Gjykata Kushtetuese argumenton se kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.

E pyetur nga gazetarët, kryetarja e Kushtetueses ka treguar me detaje se çfarë konsiston në rrëzimin e pjesshëm të këtij ligji.

Pyetje: A mund të na shpjegoni saktësisht se çfarë u pranua dhe çfarë u rrëzua nga kërkesat që kemi dëgjuar nga palët?

Zaçaj: U pranua shfuqizimi i nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe mund të jua citoj, në thelb u shfuqizua fakti që norma e tatimit 0% që i atribuohet individëve tregtarë, kategorisë tjetër brenda të njëjtës klasë, nuk aplikohej mbi tatimpaguesit që furnizojnë me shërbime profesionale. Mund të lexoj: Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit e përcaktuar në ndarje 2 i dhe 3 i, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues, lidhur me këto shërbime profesionale. Pra, u shfuqizua kjo dispozitë, e cila nuk lejonte që masa 0% e tatimit të aplikohej për kategorinë e të vetëpunësuarve që furnizojnë me shërbime profesionale, gjë që aplikohet në fakt mbi individët tregtarë. Pra, ajo shtyrja në kohë që ka parashikuar ligji për individët tregtarë në kuptimin e zbatimit të masës 15%, duke shfuqizuar këto 2 fjali.