E ftuar në “Live from Tirana” ishte mjekja dhe pedagogia Najada Çomo për të folur rreth virozave të muajve të korrikut dhe gushtit, ku duket se midis atyre të zakonshmeve, fshihen viruse më të rrezikshme si Covid-19.
Ka patur raste të Covid gjatë ësaj periudhe apo kanë qenë viroza të stinës?
Me të drejtë pyesni nëse ka pasur diçka më tepër përtej normales. Për të bërë një përshkrim të shkurtër, sëmundjet e aparatit tretës, ato bakteriale dhe virale, të rrugëve të frymëmarrjes dhe infeksione të tjera janë vërejtur në spitalet e Shqipërisë. Sa për Covid-19, një gjë është e sigurt, nuk ka pasur asnjë ditë që pacientë me Covid-19 të mos jenë shtruar në spital. Korriku dhe gushti janë muajt me lëvizjen më të madhe të njerëzve, gjë që e lejon përhapjen e Covid-19 më lehtë. Rastet e Covid-it nuk kanë ndaluar kurrë që nga ardhja e tij në mars të 2020-ës.
Sa të rëndësishme janë vaksinat e Covid-19?
Një pjesë e qytetarëve në Shqipëri nuk u afrohen testeve, ose thjesht nuk besojnë më, por ka dhe një pjesë që arrin të testohet kur kanë dyshime mjekësore. Natyrisht që për sa kohë themi se ka njerëz të shtruar me Covid-19, do të ketë dhe humbje jete prej tij. Vaksina nuk të mbron 100%, kjo është e sigurt. Por është gjithashtu fakt se të mbron 80% me siguri. Ekziston diçka që quhet “Kujtesa Vaksinale”, që bëhet në fund të tetorit për njerëz më të rrezikuar nga Covid për sa i përket ekspozimit, si personeli mjekësor, ose ata me sisteme imunitare të dobëta. Thjesht prej kësaj vaksine, Covid-19 kalohet më lehtë. Fatkeqësisht, njerëzit janë lodhur duke dëgjuar fjalën Covid-19, por duhet të kuptojnë patjetër se ai është mes nesh dhe duhet të ruhemi prej tij.
Përtej vaksinës, si mund të mbrohemi nga Covid-19?
Është shumë e rëndësishme që ato masa, të cilat njerëzit u edukuan për t’u mbrojtur nga Covid-19, si larja e duarve, mbajtja pastër e ambienteve të punës dhe përqafimi i rrallë, ndihmojnë në shmangien e këtyre virozave. Duhet pasur parasysh se vetë personi nuk e dallon dot nëse është një infeksion i zakonshëm apo diçka më serioze, kështu që është e rëndësishme të ruani veten me masat paraprake.
Një sëmundje tjetër e vërejtur në rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut janë Ethet e Nilit. A duhet të shqetësohemi për to?
Në muajin korrik, specifikisht në 10-ditëshin e fundit, u evidentuan më shumë raste në Shqipëri dhe në rajon. Sëmundja e Nilit vjen nga pickimet e mushkonjave dhe mund të jetë shumë vdekjeprurëse. Disa shenja të para janë paaftësi për t’u përqendruar, temperatura të larta dhe përgjumësi, shenja të cilat tregojnë praninë e saj. Shumica e rasteve e kalojnë këtë sëmundje lehtësisht, por Ethet e Nilit mund të eskalojnë në rrezik dhe prekin sistemin nervor qendror, pra, në fjalë të tjera, shkaktojnë dëme në tru. Pasojat e kësaj mund të shkojnë deri në paralizë, probleme komunikimi, humbje të aftësive mendore dhe, në raste kritike, vdekje. Grupmoshat e vjetra janë në rrezik më të lartë, por ka dhe raste që 15, 16 dhe 17-vjeçarë preken rëndë nga kjo sëmundje. Fatmirësisht nuk përhapet nga njeriu te njeriu, kështu që përpiquni të mbroheni nga mushkonjat.