Zbuloni disa nga ngjarjet më të bujshme në rrjet të javës që lamë pas…
1. E ftuar këtë javë në studion e “Wake Up” ka qenë influencerja e njohur Sarah Berisha. Ajo ka folur pa dorashka në këtë intervistë, duke zbuluar shumë të pathëna, nga planet për fëmijë me DJ PM e deri tek dasma… Kur do të vijë dasma me DJ PM?
Nuk e di. Është ndër pyetjet që më bëhet më shumë, kjo dhe për shtatzëninë. Nuk kemi akoma një dasmë në horizont. Në fillim kemi më shumë qejf një bebe, pastaj dasma. Unë e dua shumë një bebe në këtë moment, mendoj se jam gati. Nëse një fëmijë do vijë e mirëpresim. Por nga vrulli i jetës stepemi dhe janë shumë pikëpyetje që i bën vetes. Mendoj ‘si do jetë jeta ime kur të bëhem nënë?’ Një frikë tjetër është që ke një përgjegjësi shumë të madhe. Ndonjëherë ndihem pak fajtore sepse duket sikur e kam shtyrë unë…
2. E ftuar në “Top Arena” së fundmi ka qenë ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, moderatorja Roza Lati. Ajo tregoi më shumë për projektet e saj të reja, si dhe raportet që ka tani me ish-konkurrentët e tjerë të ‘reality-show’.
Erjola: Me kë nuk ke fare raport?
Roza: Për atë që thashë do të hidhem nga ballkoni. (Egla)
3. Pak ditë më parë bëri bujë lajmi se këngëtari i famshëm, Justin Timberlake, përfundoi në prangat e policisë pasi po ngiste makinën në gjendje të dehur. Madje mediat e huaja publikuan edhe fotografi nga çasti i arrestimit të yllit të muzikës. Por e gjeni dot se çfarë ka ndodhur me këto imazhe? “New York Post” shkruan se fotoja e tij ndodhet në muzeun “Romany Kramoris” në Sag Harbor – qyteti i vogël ku ai u arrestua. Vepra shitet për 520 dollarë dhe do të jetë “limited edition” për verën.
4. Almeda Abazi ka dhënë së fundmi një intervistë për emisionin “Pushime on Top”, në Top Channel. Ajo ka rrëfyer detaje nga jeta e saj personale dha ajo profesionale. Por jo vetëm kaq, pasi moderatorja Lei Kraja e pyeti aktoren për ‘femrën më të bukur shqiptare’. Almeda u shpreh se ka shumë, por veçoi Hygerta Sakon, pasi kur ka qenë e vogël e imitonte gazetaren e njohur.
Lei Kraja: Almeda nuk është habi që ti ke dalë Miss Shqipëria 2008, Miss Globe 2008. Por dua të di pak shijet e tua. Cilën do të veçoje ti si femrën më të bukur shqiptare?
Almeda Abazi: Ka shumë. Nuk e kisha menduar ndonjëherë, por unë jam rritur duke kopjuar… Kam qenë shumë e vogël, vishja rroba banje trupi dhe kopjoja gjithmonë Hygerta Sakon. Nuk e ke idenë, vendosja në kokë një si tip bluze për t’i bërë flokët e gjata. E çoja nga pas dhe thoja ‘unë jam Hygerta’.
5. Së fundmi, këngëtarja e njohur Elhaida Dani është përballur edhe me aludimet e shtatzënisë. E pyetur nga “Pushime on Top”, në një prej koncerteve ku ajo ishte pjesëmarrëse, Elhaida i mohoi lajmet se mund të jetë në pritje të ëmbël.
Nuk jam, nuk jam, nuk jam. Por nëse do vijë momenti, do vijë momenti, do t’jua them me shumë dashuri.