Çdo gjë është ashtu si duket Sport Tech

Çfarë janë sportet elektronike, një sektor në rritje për vendin tonë?

Lojërat elektronike dhe e-sportet elektronike përbëjnë sot një sektor të gjallë dhe në rritje, i cili ushqehet nga pasioni i plot 3 miliardë entuziastësh anembanë globit.  Ato sot janë ekosisteme të dallueshme, por të integruara, të kombinuara për të formuar një sektor që paraqet mundësi të pasura si për industrinë ashtu edhe për qeveritë. Duke përfshirë një sërë argëtimesh elektronike ku lojtarët ndërveprojnë me një faqe ose pajisje hyrëse për të prodhuar reagime vizuale, videolojërat janë shfaqur si një forcë kulturore globale.

Të ftuar në ‘Çdo gjë është ashtu si duket’ këtë episod për të folur lidhur me këtë temë ishin  Besnik “Beci” Thaqi, i cili është menaxher i komunitetit të e-sports dhe organizator i ngjarjeve të tyre. Ka punuar për organizata ndërkombëtare të e-sports si menaxher i komunitetit, drejtues i ekipeve për përmbajtjen e materialeve të mediave sociale dhe ka konkurruar ndërkombëtarisht në nivel garues profesional në Dota2. Që nga formimi i XPortal ai e ka udhëhequr komunitetin e lojrave në një epokë tjetër, duke krijuar ngjarje, duke rritur ndërgjegjësimin e komunitetit dhe industrinë e lojrave në Kosovë nga brenda. Ai gjithashtu ka punuar me grupe të vogla skuadrash që tani janë lojtarë profesionistë dhe/ose punojnë për to. I ftuari tjetër ishte Dren “DeerLips” Buza është inxhinier software dhe njëkohësisht fanatik i zjarrtë i esports dhe koordinator i organizimeve të këtij lloji.

Fillimisht, djemtë na treguan se përse e-games janë nënsektor i videolojrave.

Besoj që arsyeja kryesore janë garat që krijohen, kur për një lojë kompjuterike duhet të futen disa elemente për të qenë pjesë e e-sports. Ajo lojë ka ekipe profesionale, ka fansa rrjedhimisht dhe është lojë që shikohet, duhet t’i ketë disa elementë që të konsiderohet e-sports.

Sa e vështirë është për lojtarët që merren me këto sporte jo shumë të zhvilluara në Kosovë dhe Shqipëri dhe rrjedhimisht jo mirë të financuara?

Kohëve të fundit që të formalizohet një ekip duhet të jetë pjesë e OJQ-ve. Dikush investon, iu jep rroga që lojtarët të garojnë sa me lart, në nivele ndërkombëtare që t’i sjellin përfitime vetes dhe organizatës. Ka rreth 5 organizata aktive në Kosovë. Përkrahja ka qenë e vogël dhe është dashur të paguajm ne si studentë. 

Sa duhet të punojnë dhe ushtrohen lojtarët dhe dy djemtë na tregojnë se si kanë ngritur për herë të parë flamurin e Kosovës në një garë shumë të rëndësishëm në vitin 2012.

Nëse marrim shembull ekipin Blink që janë në nivel europian, ushtrimet ditore janë deri në 8 orë dhe pastaj ushtrohen prapë individualisht dhe pas darke. Pra shkon deri në 12 orë në ditë dhe kanë një ditë pushim në javë. Në vitin 2012 kemi qenë ekipi i parë që e kemi çuar ekipin e Kosovës në kuadër të ‘Paris Games Week’. Hapësira që kemi marrë pjesë ka qenë rreth 20 mijë metra katrorë. Thyerja e akullit ka qenë se ka qenë hera e parë, kanë qenë lojtarët më të mirë të botës. Nuk kemi pasur më shumë se 25 ditë kohë. Nëse ekipi nuk është ushtruar 6 muaj nuk mundet.