Këtë herë “A Live Night” kthehet me një speciale për Shpat Dedën dhe koncertin e tij autorial. Histori dashurish pa fund kanë Shpat Dedën në sfond. Mes zjarrit të shkëndijave të para, oqeanit të dashurisë që rritet, dhe lotëve të humbjes, kënga e Shpat Dedës jehoi në një brez të tërë. Artisti solli koncertin e tij autorial më 19 dhe 20 maj në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Me historitë e tij të dashurisë së jetuar dhe të humbur, me lotët, ëndrrat dhe ninullat ai ka zbuluar gjithçka…
E viziton shpesh Tiranën?
Ka periudha kur vij shumë shpesh dhe ka periudha kur mungoj pak. Kam shumë familjarë këtu, jam si në shtëpinë time. Edhe gjatë periudhës së luftës kur kemi qenë në atë periudhën e keqe kemi qenë tek familjarët, kemi qëndruar këtu 3 muaj. Gjyshja nga ana e babit ka qenë shumë e rëndësishme. Ajo ka jetuar këtu deri në 28′ pastaj është martuar me gjyshin dhe ka ardhur në Prishtinë, në Kosovë ku ka qëndruar deri në fund të jetës. Një fakt interesant, Zyber Bakiu stërgjyshi im ka qenë personi i parë që ka mbledhur veprat e Sami Frashërit prej gjuhëve të huaja dhe i ka përkthyer.
Çfarë historie fshihet pas këngës “Ninullë”?
Afro 10 vite që kur ka ndërruar jetë gjyshja, munda të shkruaj diçka dhe ndjeva se mund të thoja diçka që e nderon prezencën e saj. Me gjyshen kam kaluar shumë kohë sepse ajo ka qenë në shtëpi, në pension dhe na ka mësuar shumë gjëra. Mua më ka mësuar që të flas italisht.
Për të zbuluar më shumë rreth artistit kliko këtu.