Çdo javë emisioni “Vitality Vibes” trajton një patologji të ndryshme, ku flasin njerëzit rreth një sëmundje, sqarohet si nisen simptomat e para dhe ndjesitë e tij. Më pas ky rrëfim i tregohet ekipit të mjekëve i cili shikon nëse mund të nxjerrin një diagnozë paraprake pa vizituar pacientin ose mund t’i japin një këshillë në mënyrë direkte, medikamente, ushtrime, këshilla, etj.
Në këtë episod nuk ishte vetëm një i ftuar, por plot tre. Të tre ata kanë një emërues të përbashkët që është pikërisht vrapi. Përpara se ta trajtojmë më gjatë këtë temë dhe se si lidhet ky aktivitet me sportin, të ftuarit specialë janë Besnik Kasemi, Danjel Biturku dhe Brixhida Muça.
Duke nisur intervistën me Besnikun, ku Ilvi iu referua si “vrapuesi më i rregullt që njeh”, i pyetur se çfarë është “Vrap Lale”, ai u përgjigj:
“Vrap Lale” ka nisur si një iniciativë mes disa shokëve, të cilët vraponim pas pandemie për qejf nga liqeni. Kështu në grup ditë pas dite dhe derisa pamë që kishte shumë të tjerë si ne që i intrigonte kjo idea e të dalurit në grup. Në mesin tonë kemi shumë nga Tirana dhe me atë shprehjen tipike tonën ‘vrap njëri lale, vrap tjetri lale’ dhe thamë përse mos ta quanim “Vrap Lale”. E pamë që e pëlqenin edhe shumë njerëzve ky term dhe u kthye si slogan. Ky është viti i dytë që ne jemi në maratonë dhe mundohemi që të afrojmë sa më shumë të rinj dhe vrapues që të vrapojnë gjatë gjithë vitit, kurse në maratonë për një kauzë akoma edhe më të madhe. Nisi si një hobi, si një pasion për vrapimin. Ne e kemi legalizuar dhe kemi bërë një shoqatë me emrin “Vrap Lale”.