Një studim i fundit ka zbuluar se “revenge porn” – shpërndarja e fotografive ose videove intime pa pëlqimin e personit tjetër – po rritet në Britaninë e Madhe, me raportet që kanë shënuar një rritje prej 106% nga viti 2022 në vitin 2023. Sipas një kërkimi të realizuar nga Refuge, një në 14 të rritur në Angli dhe Uells ka përjetuar kërcënime për të ndarë imazhe intime pa miratim.
Për të adresuar këtë problem, marka gjermane e shëndetit seksual BILLY BOY ka bashkëpunuar me agjencinë Innocean Berlin për të zhvilluar një prezervativ digjital, CAMDOM, i cili parandalon regjistrimin e fshehtë gjatë seksit.
Aplikacioni CAMDOM, i cili thotë se është “aq i lehtë për t’u përdorur sa një prezervativ normal,” mbron përdoruesit nga regjistrimi i fshehtë i fotografive, audio dhe videove duke bllokuar kamerën dhe mikrofonin e të gjitha pajisjeve të pranishme në dhomën e gjumit. Pjesëmarrësit vendosin telefonat e tyre pranë njëri-tjetrit dhe duhet të klikojnë një buton virtual për të aktivizuar bllokimin.
Nëse një përdorues përpiqet të regjistrojë fshehurazi gjatë aktivizimit të bllokimit, një alarm do të dëgjohet për të paralajmëruar të tjerët. Butoni duhet të shtypet njëkohësisht nga të gjithë për të çaktivizuar kamerën dhe mikrofonin.
Felipe Almida, zhvilluesi i aplikacionit, shprehet se smartphone-t kanë shërbyer si një vazhdim i trupit tonë dhe ruajnë shumë të dhëna sensitive. Ai thekson se aplikacioni përdor teknologjinë Bluetooth për të bllokuar pajisjet, duke mbrojtur kështu privatësinë seksuale.
BILLY BOY synon të inkurajojë brezin e ri të shkarkojë aplikacionin dhe të mbrohet nga “revenge porn.” Ajo ka vendosur billborde, fletushka dhe postera të më mëdha në bare, klube nate, qendra shëndetësore dhe universitete për të rritur ndjeshmërinë për këtë çështje.
Sipas menaxherit të markës, Alexander Strümann, BILLY BOY është e njohur për mbrojtjen e individëve në botën analoge dhe tani dëshiron të mbrojë gjeneratën digjitale nga një kërcënim që një prezervativ tradicional nuk mund ta adresojë. Aplikacioni CAMDOM është tani i disponueshëm për Android dhe do të lançohet së shpejti për iOS.