Dita e Falënderimeve, e njohur si “Thanksgiving”, është një nga festat më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, një ditë për t’u mbledhur me familjen dhe miqtë dhe për të shprehur mirënjohje për bekimet e vitit që ka kaluar. Kjo ditë ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për atmosferën festive, por edhe për rëndësinë historike që mban.
Në qendër të festës së Falënderimeve është një darkë tradicionale, e cila shpesh përfshin një gjel deti të mbushur me peshesh, patate të ziera me qumësht dhe vezë (pure), misra të zier, arra dhe shumë garnitura të tjera. Për të mbyllur këtë drekë të shijshme, shpesh shërbehet një ëmbëlsirë me kunguj të verdhë, që është një element i domosdoshëm i kësaj feste.
Dita e Falënderimeve ka një histori të thellë që daton në shekullin e 15-të, kur kolonistët britanikë, të cilët mbërritën në Botën e Re, organizuan një “Ditë Falënderimi”, e cila nuk ishte një festë, por një ditë lutjeje. Festimet moderne të Falënderimeve nisin në vitin 1621, në Plymouth, Massachusetts. Ky vit shënon festën e parë të dokumentuar të Falënderimeve, kur kolonistët britanikë, pas një udhëtimi të mundimshëm me anijen “Mayflower”, u vendosën në Plymouth.
Pas një dimri të vështirë, i cili shkaktoi vdekjen e gjysmës së kolonistëve, shpresa dhe mbijetesa erdhën në pranverën e vitit 1621, kur një vendës i quajtur Squanto i mësoi ata si të kultivonin misër dhe t’u përshtateshin kushteve të reja. Kur korrja e parë e misrit u korr, guvernatori William Bradford organizoi një festë në shenjë mirënjohjeje, duke ftuar vendasit për të ndarë një vakt. Kjo ishte festa e parë e Falënderimeve, që shënoi një moment të rëndësishëm të bashkëjetesës dhe ndihmës ndërmjet kolonistëve dhe popullatës vendase.
Pavarësisht se festimi i Ditës së Falënderimeve u zhvillua në mënyrë të rastësishme për disa shekuj në Shtetet e Bashkuara, ishte Presidenti Abraham Lincoln që shpalli ditën si festë kombëtare në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, si një mënyrë për të bashkuar vendin dhe për të shpërndarë një mesazh të shpresës dhe mirënjohjes në kohë të vështira.
Dita e Falënderimeve është tashmë një festë e madhe, e cila shoqërohet me parada të mëdha, ku më e njohura është ajo që zhvillohet në New York, një ngjarje që tërheq më shumë se dy milionë spektatorë çdo vit.
Po ashtu, një traditë e njohur është “falja e gjelit”, ku presidenti i SHBA-së shpall faljen e një ose dy gjela dhe i shpëton ata nga therja, duke i dërguar në një fermë për të jetuar pa rrezik. Kjo është një mënyrë për të shprehur mirënjohje për natyrën dhe për të ruajtur traditat e faljes dhe dhënies.
Në ditët e sotme, ‘Thanksgiving’ është më shumë se një festë tradicionale; ajo është një mundësi për të reflektuar mbi vitin që kalon dhe për të forcuar lidhjet familjare dhe shoqërore. Shumë amerikanë shfrytëzojnë këtë ditë për të shprehur falënderime për bekimet dhe arritjet e vitit, duke krijuar kujtime të paharrueshme me ata që duan.
Dita e Falënderimeve ka evoluar në një festë që bashkon traditën dhe moderne, ku më shumë se çdo gjë tjetër, fokusi është te mirënjohja për gjithçka që kemi dhe te mbështetjeja e njëri-tjetrit në momentet e gëzuara dhe të vështira.