Trendi i përkujdesjes së lëkurës me rreze infra të kuqe është në rritje, duke u bërë gjithnjë e më i kërkuar në klinikat që ofrojnë këtë shërbim. E njohur si fotobiomodulim, kjo terapi filloi të studiohej në fund të viteve ’60, kur u zbulua se rrezet infra të kuqe përshpejtojnë rritjen e flokëve. Më vonë, studiuesit zbuluan se ato ndihmojnë gjithashtu në shërimin më të shpejtë të plagëve pas ndërhyrjeve plastike, sipas Dr. Prem Tripathi, kirurg plastik në Kaliforni.
Drita e kuqe LED ka për qëllim të stimulojë qelizat fibroblaste në lëkurë, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e kolagjenit — një proteinë që i jep lëkurës pamje rinore dhe elastike. Gjatësia e valës është rreth 630 nm, duke arritur disa milimetra në sipërfaqen e lëkurës, dhe kjo ndihmon në rigjenerimin e pjesëve të dëmtuara dhe në rritjen e flokëve më shpejt.
Megjithatë, para se të provoni këtë terapi, është e rëndësishme të konsultoheni me një dermatolog për të shmangur efekte të padëshiruara.
Terapia me drita të kuqe ofron përfitime të tjera shëndetësore, përveç kujdesit të lëkurës. Ajo ndihmon në qetësimin e inflamacionit dhe mund të lehtësojë dhimbjet muskulore. Disa studime sugjerojnë gjithashtu se kjo terapi stimulon prodhimin e melatoninës, e cila ndihmon në përmirësimin e cilësisë së gjumit.
Një studim i fundit nga Universiteti i Notre Dame ka zhvilluar një pajisje LED që ka potencialin për të trajtuar kanceret e rrezikshme në të ardhmen.
Kjo terapi, e cila është gjithashtu e mundshme të aplikohet në shtëpi, po bëhet një alternativë e popullarizuar për ata që kërkojnë një qasje jo-invazive për të përmirësuar pamjen e lëkurës dhe shëndetin e përgjithshëm.