Health & Beauty Live From Tirana Sport

Çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë një futbollist përpara ndeshjes? Fizioterapisti i Kombëtares Ilvi Begolli flet për eksperiencën e tij në Europian!

I ftuar në “Live from Tirana” ishte fizioterapisti Ilvi Begolli për të folur rreth performancës së Kombëtares dhe perspektivës së tij unike me lojtarët. Pozicioni i tij e lejon atë të shohë çfarë media dhe ekrani sportiv nuk mundet dhe ai ndan disa detaje.

Çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë një futbollist përpara ndeshjes?

Është një listë që ndiqet për sa i përket procedurave optimale. Ka gjithmonë një plan të detajuar që stafi teknik, mjekësor, trajneri dhe lojtarët marrin ditën që grumbullohen. Çdo aktivitet është i ndarë me orare, si mëngjesi, dreka, darka, seanca stërvitore, takime me familjarët dhe pushim. Të gjitha janë të ndryshueshme dhe në varësi të distancave që duhet të udhëtojmë dhe elementeve që hasen gjatë rrugës, si trafiku. Ka dhe një kontroll më të detajuar, si për shembull ushqimi që hanë, i mbushur me suplementet e duhura për të siguruar performancë maksimale në fushë.

Duke kthyer kokën pas, çfarë mund të thuash për këtë eksperiencë?

Do të thoja që Shqipëria, si ekip dhe komb, është rritur tejmase shumë nga kjo përvojë. Nuk besoj se ka më, të paktën sot, diferenca nga një shqiptar dhe një qytetar europian. Madje do të thoja se tifozët shqiptarë janë më të mirë se europianët sot. Sa i përket performancës së ekipit, jam i bindur se kanë kapacitetin për të hyrë të barabartë në fushë kundër çdo ekipi tjetër. Së fundmi, ka qenë një impenjim maksimal i stafit teknik të federatës, sidomos presidentit që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me pozicionin e tij si zëvendës president i UEFA. Ka lobuar fort për Shqipërinë.

Rreth Kombëtares, dy gjëra po diskutohen: A do të qëndrojë Sylvinho dhe pse nuk u prit Kombëtarja në Rinas? Për këto, Ilvi shtoi:

Nuk kam informacion të mëtejshëm përveç asaj që ka publikuar shtypi i FSHF. I është bërë një ofertë që në janar dhe nëse do ta firmosë ose jo varet tërësisht nga ai. Përsa i përket të dytës, u bënë disa tituj bombastikë nga portale të ndryshme dhe kam përshtypjen se ishin thjesht për klikime, nuk kishin ndonjë aspekt informativ të mirëfilltë. Realisht mendoj se nuk janë lajme. Lajme të rëndësishme për mua janë ato ku diçka nuk shkon mirë ose një lojtar dëmtohet, por jo të tilla. Ne mbaruam kompeticionin bashkë dhe erdhëm bashkë. Shumë lojtarë luajnë dhe jetojnë jashtë, nuk kishin pse të ktheheshin me ne. 

Si kanë qenë futbollistët nga ana emocionale?

Mendoj se hera e dytë ishte më mirë se hera e parë. Ka pasur rritje në aspektet psikologjike dhe emocionale. Nëse më parë ishim një ekip që humbnim sepse hanim gola në minutën e 95, tani jemi një ekip që fiton sepse shënojmë në minutën e 95. Në një kompeticion ku ndeshjet janë të ngjeshura, e nesërmja pas ndeshjes është gjithmonë ‘recovery day’. Ka nga ata që i nënshtrohen procedura të tilla, si masazhe. Por ka dhe lojtarë që nuk ndihen mirë dhe nuk kanë nevojë. Ka raste ku disa lojtarë i përdorin këto procedura si një formë mirëmbajtje të trupit të tyre, ashtu siç dhe një njeri tjetër do të paguante për një masazh.