Botë e Çuditshme

Çfarë do të ndodhë me botën pas pandemisë?

Nëse do t’ju thonim që Bota do të përfshihej nga një pandemi që do të gjunjëzonte mbi 185 shtete në vitin që astrologët parashikuan të ishte frytdhënës për të gjithë, nuk do ta besonit! Por tashmë ja tek jemi, kemi mbi 1 vit që luftojmë fort për shëndetin tonë, ecim në rrugë me maska në fytyrë dhe dezinfektantin në çantë, e nëse harrojmë ndonjë prej tyre na kap paniku menjëherë. Nuk jemi ndjerë kurrë më distantë me njerëzit edhe kur qëllimisht vendosnim të ishim të tillë.

Frika se mos humbasim vendin e punës apo më keq, të dashurit tanë nga virusi, është realiteti ynë i ri, ndërsa hallet e vjetra i kemi harruar. Pyetja ‘unë e kam kaluar, po ti?’ është dilema e përditshme dhe ndërkohë që jemi të lumtur se 2020-ës i erdhi fundi duke shpresuar për një vit më të mirë, ndalojmë dhe mendojmë se çfarë na pret më pas.

Ditën e sotme në vendin tonë por edhe në shumë shtete të tjera nisi procesi i vaksinimit anti-COVID, një fakt që duket se na qetëson disi. Megjithëse, vërdallë po qarkullon Koronavirusi që tashmë ka pësuar mutacion dhe duket se askush nuk po flet mjaftueshëm për këtë gjë. Sa prej jush pyesin çdo ditë veten se si do të jetë e ardhmja? A do e kalojmë pa pasoja të mëdha pamdeminë apo këto të fundit do të jenë më të mëdha sesa vetë COVID-19? Ekspertë, shkencëtarë, mjekë e epidemiologë kanë hedhur hipoteza të shumta se si do të jetë e ardhmja pas pandemisë.

Kriza ekonomike dhe sociale me të cilën po përballet e gjithë bota duket se po thellohet, kjo sepse jemi gjatë valës së dytë të goditjes së Koronavirusit, që parashikohet të zgjasë deri në vitin 2024. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut! Pasojat psikologjike priten të ndikojnë akoma më shumë në mirëqenien tonë, numri i të papunëve do të rritet dhe numri i lindjeve do të ulet. Ata që janë të pasur do të pasurohen më shumë dhe të varfërit dihet se çfarë i pret!

Megjithatë ka dritë në fund të tunelit, shprehen epidemiologët! Kjo nuk është hera e parë që bota përballet me ngjarje të tilla po kaq të rënda e ashtu si në të gjitha rastet e kaluara, kthimi në normalitet është i pashmangshëm!