Snapchat, aplikacioni më i njohur për fotot me mundësi të pafundme filtrash dhe me bisedat që zhduken brenda 23 orëve, i popullarizuar më së shumti mes adoleshentëve, ka njoftuar se një veçori e re e quajtur “Qendra e Familjes” (Family Center) e cila do të publikohet në mbarë botën në javët e ardhshme, duke u dhënë prindërve mundësinë për të parë se me kë po bisedojnë fëmijët e tyre. Në një deklaratë për shtyp nga ana e vetë Snapchat bëhet me dije se:
“Qendra Familjare” është krijuar për të pasqyruar mënyrën se si prindërit angazhohen me adoleshentët e tyre në botën reale, ku prindërit zakonisht e dinë se me kë janë miq adoleshentët e tyre dhe kur janë duke u shoqëruar, por të mos i përgjojnë bisedat e tyre private.
Funksioni i ri kërkon që si fëmija ashtu edhe prindi të japin pëlqimin për monitorimin. Pasi një prindi t’i jepet akses për të monitoruar llogarinë e adoleshentit të tyre, ai do të jetë në gjendje të shohë një listë të miqve të adoleshentit dhe të raportojë çdo gjë që ata e shohin të dyshimtë. Siç është projektuar, aplikacioni nuk do të njoftojë një prind për ndonjë llogari alternative në Snapchat që një fëmijë mund të ketë ose do të hapë. Njoftimi i funksionit të ri vjen mes presionit në rritje nga aktivistët dhe ligjvënësit.
Rikujtojmë gjithashtu se Snapchat është në fazën e largimit të punëtorëve nga puna, kjo sipas dy burimeve që janë në dijeni me planet e kompanisë. Shkurtimet e planifikuara vijnë pasi kompania së fundmi dha rezultate zhgënjyese të të ardhurave dhe se nuk parashikoi të ardhura për tremujorin e tretë, lajm ky i cili çoi në rënie të çmimit të aksioneve në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Mbetet e paqartë se sa nga 6,000 punëtorët e Snapchat do të largohen nga puna, pasi menaxherët në të gjithë kompaninë ende janë duke planifikuar shtrirjen e plotë të shkurtimeve për ekipet e tyre.