Sport

Çerekfinalet e Kupës/ Vllaznia triumfon në Vlorë, Laçi barazon me Egnatian!

Faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë ngriti siparin këtë të mërkurë me dy sfida: Flamurtari-Vllaznia dhe Egnatia-Laçi.

Takim interesant në Vlorë mes dy emrave të traditës së futbollit shqiptar, përfundon në favor të skuadrës shkodrane me shifrat 1-2 duke i shkaktuar humbjen e parë vlonajtëve të drejtuar nga Dritan Resuli.

Në mesin e pjesës së parë Latifin shërbeu për Mustedanagiç, i cili brenda zone, me shumë qetësi e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke i dhënë avantazhin skuadrës shkodrane. Pjesa e dytë kishte të njëjtën panoramë me fraksionin e parë. Për t‘i dhënë qetësinë skuadrës shkodrane mendoi sërish Zinedin Mustedanagiç. Boshnjaku mori një top nga e majta dhe nga brenda zone goditi saktë, duke shënuar golin e dytë personal dhe të pestin në këtë edicion në Kupën e Shqipërisë.

Pavarësisht golit të pësuar, Flamurtari nuk u dorëzua dhe arriti që të ngushtonte diferencën në të 75-ën me brazilianin Oliveira, i cili shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Qarri.

Ndërkohë përfundon në barazim 1-1 Egnatia-Laçi, sfidë e para e raundit çerekfinale në Kupën e Shqipërisë. Julian Shehu ktheu në gol një penallti (17’) të akorduar pas pamjeve në VAR. Vendasit reaguan dhe gjetën golin e barazimit me anë Artur Maganit. Pjesa e dytë ishte tepër e luftuar. Guindo dhe Lushkja kërcënuan portën e Pujës, por pa ia dalë të gjejnë golin e avantazhit për ekipin e Mirel Josës. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen pas 2 javësh.