CEO i Stellantis, Carlos Tavares, do të largohet nga kompania, por jo deri në fillim të vitit 2026. Bëhet e ditur se kontrata e tij 5-vjeçare skadon në fillim të vitit 2026. Edhe pse raportet sugjeronin se ai mund të mbante punën e tij për më gjatë, nuk do të ndodhë kështu. Sipas një njoftimi për shtyp Tavares po tërhiqet në përfundim të mandatit të tij si CEO në fillim të vitit 2026. Procesi i kërkimit për të gjetur një zëvendësues tashmë ka filluar dhe po kryhet nga një Komitet i Posaçëm i kryesuar nga John Elkann.
Stellantis thotë se deri në fund të vitit të ardhshëm duhet ta zgjedh personin e duhur që do ta pasojë Tavares. Ndërkohë, Elkann thekson se komiteti është unanim në mbështetjen e tij për Carlos Tavares dhe për ndryshimet vendimtare të shpallura. Davide Grasso dhe Jean-Philippe Imparato nuk janë më CEO të Maserati dhe Alfa Romeo, përkatësisht. Santo Ficili është emëruar Krye-shefi Ekzekutiv i të dy markave italiane të nivelit të lartë. Grasso do të qëndrojë me Stellantis, por në një pozicion tjetër.
Sa i përket Imparatos, ai tani është Drejtor Kryesor Operativ në rajonin e Evropës së Zgjeruar duke zëvendësuar Uwe Hochgeschurtz që po largohet nga kompania. Imparato do të jetë gjithashtu CEO i Pro One, ana komerciale e Stellantis. Diku tjetër, Antonio Filosa vazhdon si CEO i Jeep, por do të marrë gjithashtu detyrat e një Shefi Operativ të Amerikës së Veriut (COO) për të zëvendësuar Carlos Zarlenga. Ky i fundit do të marrë një pozicion tjetër brenda kompanisë. Doug Ostermann merr rolin e Shefit Financiar për të zëvendësuar Natalie Knight që largohet.
Qeveria italiane ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për Stellantis. Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një paralajmërim sipas të cilit nëse kompania nuk bën një angazhim të fortë për ngritjen e një fabrike vendase të prodhimit të baterive, fondet publike do të zhvendosen diku tjetër. Stellantis kishte premtuar të ngrejë një fabrikë baterish në Itali përmes sipërmarrjes së përbashkët të baterive ACC, në të cilën është investitori më i madh, së bashku me dy gjigafabrika të tjera të baterive në Evropë.
Megjithatë, puna në uzinat në Itali dhe Gjermani u pezullua në fillim të këtij viti. Gjatë një konference të fundit në Itali, ministri i industrisë Adolfo Urso tha se Stellantis duhet të angazhohet për projektin, ose përndryshe rrezikon të humbasë 370 milionë euro në fondet publike nga fondi i rimëkëmbjes së BE-së pas COVID-19.