Aktualitet Politikë

Çelja e negociatave, Rama: Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin në Bruksel!

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shpreh krenarinë për momentin historik për Shqipërinë, duke e cilësuar “ditë të paharrueshme” të djeshmen kur vendi ynë çeli negociatat me Bashkimin Europian për grup kapitujt e parë. Shefi i qeverisë thekson se Shqipëria ka zënë vendin e saj në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, duke marrë vlerësimin e merituar për arritjet e këtyre viteve të fundit.

Ndërkaq, shpreh besimin se deri në vitin 2030, vendi ynë do të ngrejë flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel.

Me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ishte në Luksemburg për momentin historik në Procesin e Integrimit Europian për vendin tonë, çeljen e negociatave me Bashkimin Europian për grupkapitullin e parë. Me të ishin edhe ministrat Igli Hasani, Majlinda Dhuka, Adea Pirdeni, si dhe një delegacion i përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grup-kapitullit të parë.

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian shërbeu për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për grupkapitullin e parë. Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike:

Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe Lidhja e qëndrueshme; Burimet, Bujqësia e Kohezioni dhe Marrëdhëniet me jashtë.

Këto bisedime u zhvilluan në nivel teknik, mes ministrave dhe ambasadorëve te qeverive te vendeve anëtare e vendit kandidat.

Bisedimet përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së, zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe po ashtu reformave për të përmbushur kriteret për anëtarësim.