Ylli i muzikës Celin Dion ka zgjedhur të flasë hapur për sëmundjen e saj. Së fundmi është publikuar traileri zyrtar i dokumentarit “I Am: Celine Dion”. Në këtë dokumentar, këngëtarja flet për karrierën e saj në industrinë e muzikës, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat ajo është përballur, si sëmundja e cila e ka bërë të anulojë të gjitha koncertet.
“Zëri im, është dirigjenti i jetës sime. Kur zëri të sjell lumturi, ti bëhesh versioni më i mirë i vetes tënde. Kam nevojë për instrumentin tim.”-thotë Dion. Më pas këngëtarja shfaqet duke njoftuar se është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë neurologjike. Në kamera janë kapur disa nga momentet më të vështira të Dion. Ndërsa për betejën e saj me sëmundjen thotë: “Punoj shumë çdo ditë” dhe ndërkaq në trailer shfaqen edhe pamjet e këngëtares duke bërë ushtrime.
E skuqur, e përlotur, e rraskapitur dhe e paaftë për të kontrolluar trupin e saj, Dion shfaqet duke përballuar një sulm të dhimbshëm 10-minutësh. Pamjet do të jenë pjesë e dokumentarit të ardhshëm që nxjerr në pah betejën e saj me Sindromën e Personit të Ngurtë (SPS). Këngëtarja kanadeze shihet në kujdesin e profesionistëve që përpiqen të lehtësojnë spazmat e saj të dhimbshme të muskujve, ndërsa një ekip kameramanësh filmon përvojën e hidhur.
56 vjeçarja u diagnostikua me këtë gjendje, një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun që shkakton ngurtësim të muskujve dhe spazma të pakontrollueshme. Betejat e saj të mëvonshme do të jenë gjithashtu pjesë e dokumentarit “I Am: Céline Dion”, e po ashtu edhe vendimi për t’u tërhequr nga publiku.
Në videon e publikuar, Dion pas krizës së pësuar shprehet: “Sa herë që ndodh diçka e tillë, të bën të ndihesh shumë i turpëruar dhe kështu, nuk di si ta shpreh. Megjithatë, unë ende e shoh veten duke kërcyer dhe kënduar. Unë e kam gjithmonë planin B dhe planin C, e dini. Kjo jam unë. Nëse nuk mund të vrapoj, do të eci. Nëse nuk mund të eci, do të zvarritem. Por unë nuk do të ndalem. Unë nuk do të ndalem”.