Aktualitet

Celibashi: Prioritet i KQZ-së, informimi i votuesve nga diaspora!

Nënkomisioni për Diasporën dhe Emigracionin zhvilloi një seancë dëgjimore me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në lidhje me votën e shtetasve shqiptarë me vendbanim jashtë vendit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dy kanë qenë aktet e veprimit të KQZ-së. Celibashi përmendi:

I pari ka të bëjë me ndërtimin e një strukture administrative brenda institucionit të KQZ-së, e cila nga pikëpamja rregullatore, organizative, teknike do të adresonte gjithë aspektin e përgatitjes dhe zhvillimit të votimit nga jashtë apo votimit të diasporës në momentin kur i gjithë kuadri ligjor rregullator do të ishte gati.

I dyti, për aq sa e kishte të lejuar, të nxiste e të sillte në vëmendje, jo vetëm të Kuvendit të Shqipërisë apo të faktorit politik, OJQ-ve, etj, gjithë nevojën që procesi i votimit nga jashtë të merrte atë adresimin që do të duhej të merrte nga institucionet përkatëse.

Sa i përket çështjes së parë, tashmë KQZ-ja e ka ndërtuar strukturën administrative të posaçme brenda tij, e cila ka përgjegjësi të dedikuar në lidhje me të gjitha aspektet e procesit të votimit nga jashtë. Tashmë, ne e kemi të konsoliduar nga pikëpamja administrative drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet të gjithë elementëve teknikë të zhvillimit të votimit nga jashtë, duke nisur nga procesi regjistrimit, i administrimit të votave dhe i nxjerrjes së rezultatit.

Natyrisht, duhet të presim zhvillimet e fundit brenda Kuvendit, nëse procesi i diskutimeve dhe negociatave mes palëve politike do të finalizohet me plotësimin e boshllëqeve ligjore, sikurse Gjykata Kushtetuese thotë në lidhje me votimin nga jashtë dhe kështu do t’i hapet rruga veprimit të KQZ-së për të punuar për ta përgatitur këtë proces.

Sa i përket veprimtarisë së KQZ-së në lidhje me këtë çështje, Celibashi u shpreh:

Jeni dëshmitarë dhe pjesëmarrës të disa aktiviteteve të organizuara nga KQZ-ja, disa konferencave kombëtare me përfaqësues më të lartë politikë, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Shqipëri. Qëllimi parësor i zhvillimit të këtyre aktiviteteve ka qenë rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të të gjithë faktorëve në lidhje me nevojën apo domosdoshmërinë e adresimit të çështjes.

Nëse këtë javë, Kuvendi do të kalojë ato çfarë mediatikisht fliten sa i përket votimit nga jashtë, duhet ta besojmë që ka qenë pjesë e kësaj shtyse e gjithë kjo çfarë kemi bërë ne si institucion.

I pyetur lidhur me marrjen e masave nga KQZ-ja për votimin e qytetarëve nga jashtë, Celibashi tha:

Nëse ka vërtetë një gjë të cilën ne e kemi prioritare në fokusin tonë është aksioni që duhet të ndërmarrë KQZ-ja, por jo vetëm, për të ndërgjegjësuar, informuar të gjithë ata votues që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Celibashi shtoi se ky është një proces shumë i vështirë.

Ne kemi probleme të edukimit, të informimit e të ndërgjegjësimit të votuesve që jetojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo do të jetë më sfiduese për ne për rastin e votuesve nga jashtë për ato faktorë objektivë.